Tensione gjatë mbledhjes në bashkinë e Vlorës, banorët e fshatit Tragjas, kanë protestuar gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak.
Sipas banorëve “kuçedra” po na merr ujin, (qytetari i referohet oligarkëve që kanë ndërtuar vilat në Palasë dhe Dhërmi).
Siç duket dhe nga pamje e publikuara, qytetari tregon se nuk i interesojnë partitë politike, por duan thjesht të mos u merret uji.
“Ne kemi ardhur se po na zë kuçedra ujin, po vjen kuçedra dhe po na zë frymën. Ndërkohë që ju zgjidhni problemet politike me njëri-tjetrin, ky popull këtu është demokrat, socialist, ballist, zogist, komunitet i zonës së Dukatit, Tragjasi, Orikum. Ne kemi ardhur të na zgjidhni problemin, sepse kryetari i Bashkisë ka dhënë në shkelje të ligjit, pa na pyetur fare, ka dhënë një leje ndërtimi dhe na ka bllokuar jetën, po na merr jetën. Për të bërë një fshat turistik andej ai, ça do bëjë dhe të më shpërngulë mua të më marrë jetën. Kjo është e padrejtë," shprehet një prej banorëve në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Projekti në këtë rajon synon furnizimin me ujë të disa komplekseve turistike, të cilët kanë marrë më herët statusin e investimit strategjik.
Ky është argumenti që jepet në dokumentet që shoqërojnë procedurën.
Ndër vite qeveria ka dhënë përmes Komitetit të Investimeve Strategjike statusin për një sërë investimesh që edhe pse të lakuara si komplekse turistike në një pjesë të mirë të rasteve kanë përfunduar në komplekse vilash rezidenciale.
Përmes përfitimit të statusit investitorët fitojnë lehtësi si në përfitimin e tokës ashtu edhe në lehtësimin e procedurave burokratike por edhe investimeve që lidhen me infrastrukturën dhe aksesin në energji dhe ujë.