VIDEO/ "60 sekonda dhe 23 plumba", dalin pamjet e vrasjes së Ardian Çollakut dhe Lulzim Bitrit

18 May 2022, 20:20Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
VIDEO/ "60 sekonda dhe 23 plumba", dalin pamjet e vrasjes së
Pamje nga vrasja

Janë publikuar për herë të parë pamjet nga vrasja e Ardian Çollakut dhe Lulzim Bitrit, mbrëmjen e 4 tetorit 2021 në aksin Elbasan-Metalurgjik.

Siç mund ta shihni dhe tek video e transmetuar nga emisioni “Në Shënjestër”, e gjithë ngjarja zhvillohet në një lavazh makinash pranë një karburanti. Viktimat me rreth të kuq në pamje të parë po qëndrojnë qetësisht pranë një makine, jashtë lavazhit.Një automjet tip “Benz”  vjen me shpejtësi drejt lavazhit dhe futet në brendësi, ndërkohë që viktimat e këtij atentati vazhdojnë të bisedojnë të qetë në këmbë jashtë tij.

Më pas, makina tip “Benz” e autorëve del nga lavazhi dhe ndalon përballë vendit ku Ardian Çollaku dhe Lulzim Bitri po qëndronin në këmbë. Në momentin e parë nga dera e parme e automjetit, siç vihet re del një person i veshur me bluzë të zezë dhe me kapele po të zezë në kokë që qëllon i pari ndaj dy shënjestrave të atentatit.

Paralelisht me të, një person i dytë del nga dera e pasme e makinës dhe qëllon mbi viktimën e dytë. Ndërkohë, autori i dytë për t’u siguruar që e kishin kryer si duhet punën, shkon dhe godet sërish mbi viktimën e tij. Më pas autorët largohen nga vendi i ngjarjes. Mbi Ardian Çollakun dhe mikun e tij, Lulzim Bitri janë derdhur 23 plumba.

E gjithë skena e ekzekutimit zgjat ekzaktësisht 1 minutë, që nga koha e mbërritjes së makinës së autorëve deri në largimin e tyre. Vrasja e dyfishtë është kryer në sytë e terrorizuar të dhjetëra pasagjerëve që ndodheshin në këtë moment në autobusin e linjës së Greqisë, që po furnizohej në karburantin ngjitur me vendin e krimit.

Ky krim ka mbetur ende i pazbardhur dhe pret drejtësi. Ardian Çollaku një emër i njohur për drejtësinë, ishte dënuar më herët për trafik të lëndëve narkotike.


Video