Vendimi i Strasburgut, pse duhet të rikthehet në detyrë ish-prokurori Besnik Cani

31 March 2023, 17:31Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

 

Vendimi i Strasburgut, pse duhet të rikthehet në detyrë
Besnik Cani

Në gjykatën e Strasburgut kanë ngritur padi një sërë ish-gjyqtarësh dhe ish-prokurorësh të shkarkuar nga procesi i vettingut, por askush nuk ka një vendim më të qartë se ai i dhënë në rastin e padisë së Besnik Canit.

Në vendimin e marrë në tetor të vitit të kaluar, Strasburgu i jep të drejtë ish-prokurorit Cani në kërkesën se ndaj tij nuk ka pasur një proces të drejtë vlerësimi e gjykimi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, që më parë rrëzoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Cani e kaloi vettingun në KPK, por u rrëzua në KPA, nga një trupë me pesë anëtarë, dy prej të cilëve ishin edhe Luan Daci dhe Ardian Hajdari, që të dy të akuzuar më pas se janë zgjedhur në kolegj përmes falsifikimit dhe manipulimit të dokumentacioneve.

Në rastin e Luan Dacit, kjo konfirmohet edhe me vendim gjykate. Duke iu referuar këtij fakti, Strasburgu vëren se procesi i rivlerësimit ndaj Besnik Canit në Kolegj është i paligjshëm. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut nuk shprehet saktësisht nëse ai duhet të rikthehet në detyrë apo jo. Por, ajo ka folur me vendimmarrjen duke e konsideruar të paligjshëm procesin në KPA.

Sipas Strasburgut, zgjedhja nga Kuvendi e Luan Dacit si anëtar në KPA cenon besueshmërinë e vendimmarrjes së shkallës së dytë të vettingut, që jep edhe vendime të formës së prerë.

Rasti i Besnik Canit nxjerr në pah përplasjen mes disa parashikimeve ligjore. I pari është ai i ligjeve të vettingut dhe Kushtetutës së Shqipërisë, që nuk parashikojnë shprehimisht vendime prapakthehu kur ato janë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Këto parashikime përplasen në këtë rast me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, të rafitikuar nga Shqipëria dhe që sipas jurisprudencës janë në të njëjtin nivel me Kushtetutën dhe prevalojnë mbi ligjet shqiptare.

Duke pasur parasysh këto parime, vendimi i KPA-së që e shkarkon nga detyra duhet të konsiderohet nul, ashtu siç arsyetojnë edhe një pjesë e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kjo do të thotë se automatikisht, Shkëlqim Cani rikthehet në detyrë si prokuror, në bazë të vendimit të rikonfirmimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video