U shkarkua nga KPK, KPA rikthen në detyrë gjyqtarin Niko Rapi

8 November 2022, 16:26Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
U shkarkua nga KPK, KPA rikthen në detyrë gjyqtarin Niko Rapi
Niko Rapi

Shkalla e dytë e Vettingut, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka ndryshuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit Niko Rapi duke e rikthyer në detyrë si gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Raqi u shkarkua nga shkalla e parë e Vettingut për shkak konfliktit të interesit në kohën kur drejtonte Gjykatën e Pogradecit.

Komisioni i Vlerësimit ngriti dyshime për trajtim të mundshëm preferencial dhe situatë të kushteve të konfliktit të interesit mbi një marrëdhënie miqësore mes gjyqtarit Niko Rapi dhe shoqërisë “Bregu sh.p.k”.

Njoftimi i KPA-së:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 54/2020, datë 27.11.2020, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Niko Rapi kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 277, datë 21.07.2020.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

1. Ndryshimin e vendimit nr. 277, datë 21.07.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin e subjektit të rivlerësimit Niko Rapi në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 08.11.2022.


Video