
Aktivistja Sidorela Vatnikaj ka deklaruar se protestat qytetare do të vijojnë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama. Duke folur për mediat gjatë tubimit para Gjykatës Penale, Vatnikaj u shpreh kundër asaj që e cilësoi si represion policor ndaj protestuesve.
Ajo tha se protestat nuk do të ndalen, ndërsa paralajmëroi zhvillimin e protestave kombëtare me pjesëmarrje masive ditën e hënë dhe të shtunën.
“Kemi kërkuar dhe vijojmë të kërkojmë lirimin e menjëhershëm të protestuesve dhe ndaljen e represionit policor, intimidimin dhe arrestimet e paligjshme të aktivistëve që po mbahen prej 72 orësh në paraburgim. Ata kanë qenë të shqetësuar sepse arrestimet kanë qenë të dhunshme dhe të pa justifikuara por nuk di nëse ka pretendime për dhunë brenda ambienteve të paraburgimit. Ne do të vijojmë çdo ditë të protestojmë deri në dorëheqje e Ramës, që është hapi i parë. Kërkojmë ndryshim të klasës politike dhe për t’i dhënë Shqipërisë një mundësi tëre drejt rrugës demokratike. Të hënën dhe të shtunën 2 protesta të mëdha kombëtare,. Presim aktivizim maksimal dhe si shenjë revolte”, tha ajo.