“Toyota Auris”, dorëhiqet gjyqtarja Irena Gjoka: Është në konflikt interesi me dosjen e Suel Çelës!

30 January 2025, 11:54Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Toyota Auris”, dorëhiqet gjyqtarja Irena Gjoka:
Irena Gjoka/ Suel Çela

Gjyqtarja e Posaçme Irena Gjoka jep dorëheqjen nga shqyrtimi i dosjes Toyota Auris, ku të pandehur janë marrë ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka, ish-oficerja gjyqësore, Erjona Daupaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi.

Gjyqtarja ka shqyrtuar më herët çështjen e sekuestrimit të pasurive të Suel Çelës kreu i një organizate kriminale me bazë të gjerë dhe rezulton se kjo pika është një nga akuzat që rëndon ndaj të pandehurve.

Po ashtu, në komunikimet në aplikacionin Sky Ecc ata kanë diskutuar për mënyrën sesi do të ndikonin sistemin e drejtësisë për të çliruar nga sekuestro pasuritë e Çelës.

Për këtë shkak, gjyqtarja ka vlerësuar se është në konflikt interesi dhe se mund të jetë dhe dëshmitare në proces.

Shorti elektronik ka përcaktuar gjyqtarin Erjon Çela për shqyrtimin e dosjes. “Toyota auris”  u pagëzua në këtë emër pasi në dy makina që vinin nga Belgjika u zbuluan 3.4 mln euro.

Pas një procesi të gjatë, për trafikimin e parave që dyshohet se rridhnin nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës u dënua vetëm një nga kushërinjtë Vladi.

Paratë ndërkohë vijojnë të mbahen të sekuestruara.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video