Ekskluzive/ Vendimi i Trump, largohen nga Shqipëria ekspertët e OPDAT!

30 January 2025, 11:05Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ekskluzive/ Vendimi i Trump, largohen nga Shqipëria ekspertët e OPDAT!
Donald Trump

Urdhri i Donald Trump për pezullimin e ndihmës së huaj ka prekur edhe misionin amerikan OPDAT në Shqipëri.

Voxnews.al mëson ekskluzivisht se një pjesë e mirë e ekspertëve amerikanë të këtij misioni që ishin vendosur nëpër institucionet shqiptare janë larguar.

Bëhet fjalë për personat dhe grupet e punës që kanë dhënë ekspertizën e tyre në fushën e ligjbërjes dhe ligjzbatimit, madje një pjesë e tyre kanë punuar edhe me reformën në drejtësi dhe vettingun.

Përfshirja e OPDAT me ekspertizë ligjore në Shqipëri është e zgjeruar, duke përfshirë këtu edhe institucionet e drejtësisë, sidomos strukturat e posaçme, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Ekspertët paguheshin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes linjës së ndihmës së huaj për forcimin e institucioneve dhe shtetit ligjor në Shqipëri.

Por, urdhri i Donald Trump, që ka pezulluar fondet për këtë linjë për 90 ditë ka pezulluar edhe pagesat e ekspertëve.

Në këto kushte, ata janë larguar na institucionet shqiptare në pritje të një vendimmarrje përfundimtare që do të mbërrijë nga Uashingtoni.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video