Këshillimi i Ministrave miratoi sot mbulimin e shpenzimeve për kurimin e mjekut, Arvin Dibra.
Në mbledhjen e sotme, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave vendosi mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të mjekut Arvin Dibra, në masën 2 000 000 (dy milionë) lekë.
Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Për zbatimin e këtij vendimit ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Mjeku kirurg i QSUT-së, Arvin Dibra, mbeti i plagosur aksidentalisht më 10 gusht 2024, pasi u hodh për t’u larë në lumin Buna në Shkodër.
Pas ndihmës së marrë në Shqipëri, ai më pas u nis drejt Italisë për trajtim të mëtejshëm.
Gjendja shëndetësore e doktorit, i cili ka gjithashtu nënshtetësi italiane, nisi të përmirësohej pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të suksesshme për të trajtuar dëmtimet në pjesën e qafës dhe rruazat e lidhura me shtyllën kurrizore, por vijon të ketë nevojë për trajtim.
Prof. Dr. Arvin Dibra aktualisht mban postin e Shefit të Klinikës 1 Kirurgjikale në QSUT dhe drejtues i Departamentit të Kirurgjisë në Universitetin e Mjekësisë.