Sterilizimi / Ilir Beqaj paraqitet në SPAK: Oficeri i BKH-së më premtoi se të martën do më japë hard-diskun e sekuestruar

26 January 2024, 15:45Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sterilizimi / Ilir Beqaj paraqitet në SPAK: Oficeri i BKH-së më
Ish-ministri Ilir Beqaj

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është paraqitur ditën e sotme në SPAK si çdo të premte në zbatim të masës së sigurisë "detyrim paraqitje" për çështjen e koncesionit të sterilizimit.

“Ju e dini që çdo të premte jam këtu. Oficeri i policisë së BKH-së më konfirmoi se hard diskun e kompjuterit do ta marr të martën”, është shprehur Beqaj për gazetarët para SPAK-ut.

Në nëntor 2023 me kërkesë të SPAK gjykata caktoi masën detyrim paraqitje për ish-ministrin nën akuzë për shpërdorim detyre.

Situata e ish-ministrit të Shëndetësisë, u rëndua gjatë muajit nëntor 2023, pak muaj pasi SPAK mori aprovimin e gjykatës për caktimin e masave të sigurimit personal, arrest me burg për biznesmenin Ilir Rrapaj.

Beqaj vazhdimisht ka deklaruar se vetëm ka kryer detyrën, ndonëse nga ana tjetër SPAK disponon dokumente, nga të cilat dyshon se Beqaj me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka shpërdoruar detyrën.

Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme ka mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, duke kërkuar që ndaj tij të kryhet edhe hetim pasuror, madje ka lëshuar indicie se provat e dhëna nga SPAK çojnë në dyshimet se ish-ministri i Shëndetësisë mund të ketë falsifikuar dokumentet dhe ekziston mundësia që të ketë kryer edhe korrupsion.

Megjithatë, aktualisht ndaj Beqaj është në fuqi masa “detyrim paraqitje”. Çdo të premte, ai duhet të paraqitet në 15:30 para oficerit të BKH-së.


Video