“S’kërkojmë lëmoshë, por drejtësi”, naftëtarët protestojnë para ‘Bankers Petroleum’: Grevë urie nëse nuk plotësohen kërkesat

5 September 2025, 22:33Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“S’kërkojmë lëmoshë, por drejtësi”,
Punonjësit e Bankers Petroleum protestë në Marinzë

Dhjetëra punonjës të kompanisë “Bankers Petroleum” kanë zhvilluar ditën e sotme një protestës para godinës së “Bankers Petroleum” në Marinzë.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Hidrokarbur, Dritan Shahu, i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë shoqërisë Bankers dhe drejtuesve të saj që të ndalojnë së injoruari zërin e punonjësve duke u ndalur në disa kërkesa kryesore, si respektimin e të drejtave të punëtorëve, rritjen e pagave, zbatimin e kontratës kolektive të punës, ndalimin e intimidimit dhe presionit psikologjik ndaj punonjësve, ndalimin e diskriminimit dhe pabarazisë në trajtim dhe përfitime, aplikimin e statusit të naftëtarit dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Kurse vetë punëtorët thanë se prej vitesh Bankers nuk merr në konsideratë kërkesën për rritjen e pagave, ndërsa theksuan se nuk po kërkojnë lëmoshë por drejtësi sociale.

Protesta e sotme zgjati rreth një orë dhe pritet të vazhdojë edhe ditën e shtunë.

Naftëtarët janë shprehur se, nëse drejtuesit e Bankers nuk bien dakord për të zgjidhur problematikat, atëherë ata do të përshkallëzojnë protestat deri në grevë urie dhe pezullim të aktivitetit në kompaninë naftënxjerrëse.


Video