Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) dega Kamëz-Vorë, ka reaguar publikisht pas lajmit të publikuar ditën e sotme se një person dhe 2 rojet private të institucionit kanë dhunuar dhe kanë penguar në kryerjen e detyrës të gazetares Domenika Bajraktari dhe të kameramanit që e shoqëronte.
ASHK distancohet nga çdo akt dhune në këtë rast që ka prekur përfaqësues të medias ndërsa sqaron se personi i arrestuar me iniciale F. M., 67 vjeç, i cili dyshohet se ka dhunuar gazetaren, nuk është pjesë e stafit të Kadastrës.
Ndërkohë për dy rojet e istitucionit, Q. L., 64 vjeç dhe H. B., 52 vjeç, për të cilët ka nisur procedim penal pasi dyshohet se kanë dëmtuar kamerën e filmimit dhe kanë penguar median në ushtrimin e detyrës, ASHK tregon se rasti është në verifikim, dhe nëse konstatohet ndonjë shkelje ligjore, do të merren masa të menjëhershme.
Reagimi i plotë i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës:
Në lidhje me lajmet e publikuara gjatë ditës së sotme për ngjarjen e ndodhur pranë Drejtorisë Vendore Kamez-Vorë, sqarojmë se:
Agjencia Shtetërore e Kadastrës dënon dhe distancohet nga çdo akt dhune ndaj përfaqësuesve të medias gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.
Në lidhje me rastin e raportuar, sqarojmë se personi që ka kryer veprimin ndaj gazetares nuk është punonjës i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Ndërkohë jemi duke rishikuar të gjitha pamjet filmike të administruara nga kamerat e sigurisë dhe, nëse konstatohet shkelje nga rojet private, do të ndërmerren menjëherë hapat ligjorë dhe kontraktualë për të mos lejuar përsëritjen e rasteve të tilla.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës shpreh besimin e plotë tek institucionet ligjzbatuese dhe është e bindur se ato do të kryejnë hetimet dhe do të vendosin drejtësi sipas ligjit.
Ne besojmë se puna e gazetarëve është një element i rëndësishëm për informimin e qytetarëve dhe ruajtjen e transparencës institucionale.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës siguron publikun dhe median se do të vazhdojë të garantojë akses, respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë në çdo proces informimi.