Hapet rruga Qukës-Qafë Plloçë, Rama pritet me daulle dhe kulaç: Projekti më i mundimshëm, sepse u nis mbrapsht

5 September 2025, 14:47Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Hapet rruga Qukës-Qafë Plloçë, Rama pritet me daulle dhe
Edi Rama

Rruga Qukës-Qafë Plloçë është hapur zyrtarisht këtë të premte për qarkullim me të gjithë sinjalistikën përkatëse.

Në inaugurimin e këtij aksi rrugor, ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe drejtuesi i Partisë Socialiste për Korçën, Niko Peleshi.

Projekti është me dy karrexhata dhe korsi ndihmëse ndërsa në disa raste, kur ka disnivele, ka edhe korsi të tretë.

Gjithashtu rruga përfshin edhe dy tunele, njëri 710 metra dhe tjetri 300 metra i gjatë, katër ura, dy prej të cilave të varura metalike.

Projekti kishte nisur fillimisht në kohën e qeverisë së mëparshme, në vitin 2010-2011, por sipas zv.kryeministres Balluku u desh ribërë nga e para.

“Nëse flet me inxhinierët të thonë se ishte një projekt i ftohtë dhe indiferent ndaj gjeologjisë së zonës, kushteve atmosferike që kjo zonë ka dhe për më tepër ndaj të gjitha ndërlidhjeve me fshatrat e zonës. Më pas projekti nisi në 2015-n, na është dashur ta rishikonim totalisht. Është 100% i ndryshuar”, tha zv.kryeministrja Balluku.

“Është projekti më i gjatë dhe stërmundimshëm sepse u nis mbrapsht”, tha kryeministri Rama, duke shtuar se banorët e zonës kanë më në fund një “çlirim të madh”.

“Kur e morëm në trashëgimi kishte nisur pa projekt. Është projekti më i gjatë dhe më i mundimshëm, për shkak se u nis mbrapsht. Tani është gjë e madhe që mbaroi dhe që edhe njerëzit e zonës, për të cilët është fitore e madhe, çlirim i madh, por të gjithë e kanë në dispozicion. Dukej sikur s’do mbaronte kurrë. E mban mend urën që kishin bërë, me 17 metra disnivel”, tha Rama.

Banorët e pritën kreun e qeverisë me daulle dhe kulaçin me kripë, gatim tradicional.

Tanimë, distanca Tiranë-Korçë do të përshkohet për rreth 1 orë e 30 minuta.

Ky projekt përmirëson parametrat e rrugëtimit dhe bën të mundur aksesimin e trafikut, që kalon ndërmjet Korridorit të 8-të nga aksi rrugor Tiranë-Elbasan me pjesën e juglindjes, si dhe shkurtimin e distancave me pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, qytetin e Korçës dhe më tej.



Video