Kishte lidhur kalin pas makinës në lëvizje, policia procedon 60-vjeçarin pas videos tronditëse (PAMJET)

5 September 2025, 12:37Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kishte lidhur kalin pas makinës në lëvizje, policia procedon
Kali i lidhur pas makinës në lëvizje

Policia e Elbasanit ka njoftuar se është vënë në veprim pas qarkullimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqet një kalë i lidhur me litar pas një makine në lëvizje.

Si rezultat i hetimeve është proceduar penalisht një 60-vjeçar me inicialet N.L, i akuzuar për keqtrajtim të kafshëve.

“Menjëherë pas publikimit të videos, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd kanë kryer veprimet për identifikimin dhe shoqërimin e drejtuesit të automjetit. Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin N. L., 60 vjeç, për veprën penale ‘Keqtrajtimi i kafshëve’.”, thuhet në njoftimin e uniformave blu të Elbasanit.

Video e cila është publikuar në rrjet është filmuar në vendin e quajtur Mirakë, ku kali shihej i lidhur pas automjetit në lëvizje, gjest që është konsideruar i papranueshëm nga përdoruesit e rrjetit.

Policia fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të ngjashëm apo të shkeljes së ligjit, duke iu siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.


Video