Një shtetas shqiptar është ndaluar nga policia greke në Janinë, gjatë tentativës për të blerë disa sende antike të periudhave të ndryshme.
Shqiptari i prezantuar si “Jani” por me emrin Nardi i moshës 48-vjeç, kishte rënë në ujdi me një çift grekësh nga Janina, 59-vjeçarja Aleksia dhe 64-vjeçarin Ilias për të blerë sendet antike si amfora të periudhës romake, disa ikona mesjetare dhe një monedhë argjendi e shekullit të katërt.
Çifti grek deklaroi në polici se sendet antike i kishin trashëgimi nga të parët, ndërsa amforat i kishin gjetur gjatë zhytjeve në fund të detit. Atyre gjithashtu iu sekuestruan detektorë metali që përdoren nga kërkuesit ilegalë të thesareve në tokat e pasura arkeologjike.
Grekët thanë se shqiptari u kishte treguar se quhej “Nardi” dhe se e kishte dërguar një koleksionist mjaft i njohur në Shqipëri. Ata thanë se kishin rënë dakord të shisnin sendet antike tek shqiptari, pasi u kishte ofruar një shumë të kënaqshme parash.
Shqiptari, sipas policisë greke, rezulton të ketë edhe akuza për drogë.