Shpërthimi në biznesin e deputetit / Prokuroria e Fierit shpall moskompetencë dhe ia kalon çështjen GJKKO-së

7 March 2024, 16:34Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shpërthimi në biznesin e deputetit / Prokuroria e Fierit shpall
Pamje nga vendi i ngjarjes / Deputeti Bujar Çela

Prokuroria e Fierit ka shpallur moskompetencë për dosjen e shpërthimit me dy viktima dhe 7 të plagosur në biznesin e deputetit socialist Bujar Çela, duke ia kaluar aktet GJKKO-së.

Babë e bir, Roland dhe Elidon Hoxha, humbën jetën teksa punonin në biznesin në pronësi të deputetit socialist në Lushnje, Bujar Çela, ndërsa shtatë të tjerë, duke përfshirë edhe Çelën mbetën të plagosur pasi një bombol oksigjeni shpërtheu.

Për ngjarjen e rëndë është përfolur për shkelje të rënda, nga ato të rregullores së punës, deri te përfshirja e deputetit Çela në një biznes privat, leja për punime dhe ndërtim nën një linjë të tensionit të lartë.

Megjithatë, deri tani, në burg është lënë vetëm sipërmarrësi Leonard Gjini që duhet të kryente punimet në kaparonin e deputetit, por që ende nuk kishte nisur nga puna.

VENDIMI:

Shpërthimi i magazinës në Lushnje, Prokuroria Fierit shpall moskompentencën. Një i arrestuar dhe masa sigurimi ndaj 5 personave

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier regjistroi në datën 03.03.2024 çështjen penale nr. 358, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shkatërimi i pronës nga pakujdesia”, parashikuar nga nenet 289 prg. 2, 199/a prg. 4, 248 dhe 161 të Kodit Penal. 

Kjo çështje penale u regjistrua lidhur me ngjarjen e ndodhur në datën 01.03.2023, rreth orës 15:30’, në lagjen “Karbunarë e Poshtme”, Njësia Admnistrative Nr.5, Lushnjë, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm gjatë punimeve të ndërtimit në objektin “magazinë”, të shtetasit B.Ç, kanë gjetur vdekjen dy persona dhe plagosur shtatë persona të tjerë.

Nga ana e policisë gjyqësore nën drejtimin e prokurorëve të gatshëm, që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, janë kryer veprime procedurale si, këqyrje e vendit të ngjarjes, kryerje  ekspertimit teknik ndërtimi, sekuestrimi dhe këqyrja a dokumenteve, marrja në pyetje e shumë personave dhe veprime të tjera hetimore që lidhen me natyrën e ngjarjes.

Pas administrimit të të dhënave të mësipërme dhe kryqëzimin e tyre, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar emrat e 7 (shtatë) personave që u atribuohet vepra penale, si më poshtë:

-Shtetasit B.Ç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, dhe “Shkatërimi i pronës nga pakujdesia”, parashikuar nga nenet 289 prg. 2, 199/a prg. 4, dhe 161 të Kodit Penal.

- Shtetasit L.Gj, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, parashikuar nga neni 289 prg. 2 i Kodit Penal.

-Shtetasve R.K, K.S, M.P, E.S. dhe I.U, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve të çështjes penale, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka nxjerrë urdhër ndalimi për shtetasit L.Gj, i cili është ekzekutuar nga policia gjyqësore.

Po ashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka kërkuar në gjykatë caktimin e masave të sigurimit me karakter ndalues dhe shtrëngues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 242 e 233 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasve më poshtë:

-              Shtetasit R.K, me detyrën e kryeinspektorit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Lushnjë.

-              Shtetasve M.P, E.S., K.S, me detyrën e inspektorëve të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Lushnjë.

-              Shtetasit I.U, me detyrën e inspektorit të përgjithshëm të Njësisë Bashkiake Nr. 5, Bashkia Lushnjë.

Gjykata e Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka pranuar kërkesat e mësipërme të prokurorisë dhe aktualisht vendimi i gjykatës është ekzekutuar.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, bazuar në nenet 28 pika 1, 75/a, gërma “c” e 84 të Kodit të Procedurës Penale, ka shpallur moskompetencën lëndore dhe i ka dërguar aktet e çështjes penale Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, si prokuroria kompetente për shkak të subjektit, për të vijuar hetimet ndaj shtetasi B.Ç, deputet i Kuvendit të Shqipërisë.


Video