Policia e Lushnjës ka arrestuar reperin Cllevio Serbiano, emri i vërtetë i të cilit është Kleviol Ahmeti, 36-vjeç, pasi ditën e djeshme ai theu masën "arrest shtëpie" dhe shkoi në Durrës ku u përplasën fizikisht me reperin tjetër Noizy.
Ai është kapur në lagjen "Çlirimi", në qytetin e Lushnjës. Cllevio ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
"Në 19.03.2021, shtetasi K. A. është arrestuar në flagrancë nga Policia, pasi në automjetin që e drejtonte pa leje drejtimi, iu gjetën doza me lëndë narkotike cannabis sativa dhe 3 armë të ftohta (thika), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale." sqaron Policia ngjarjen për të cilën Cllevio ndodhej në arrest shtëpie.
Cllevio ka qenë i dënuar dhe më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, mbajtje pa leje të armëve të ftohta dhe kanosje. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Ditën e djeshme, pamjet e sherrit të tij me reperin Noizy bën xhiron e rrjetit, pasi ai shkoi te lokali i tij në Durrës, me disa persona të tjerë për tu zënë, por e pësoi keq, pasi u rrah nga reperi dhe shokët e tij.
Kleviol Ahmeti njihet si një shok i ngushtë i reperit Stresi dhe ka qenë ish anëtar i grupit TBA të cilët kanë një armiqësi prej vitesh me grupin OTR të Noizyt.
Mirëpo, teksa Stresi vendosi të bënte paqe me Noizyn, Cllevio vendosi të mos bënte të njëjtën gjë si shoku i tij dhe shkoi t'i tregonte forcat tek lokali i reperit në qytetin e Durrësit.