Vëllai i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja, Xhelal Rraja ka qenë protagonist i një sherri me sende të forta ditën e sotme në Borizanë të Krujës.
Xhelal Rraja është shoqëruar në ambientet e policisë pasi dyshohet se së bashku me njerëzit e tij të afërm kanë dhunuar dy anëtarët e fisit Maja.
Shkak dyshohet se janë bërë zhurmat në guroren që është në pronësi të Xhelal Rrajës. Jashar Maja dhe Bilbil Maja kanë shkuar për t’u ankuar për punimet që kryheshin në gurore, por janë konfliktuar me anëtarë e fisit Rraja.
Të dy kanë mbetur të plagosur, por Jashar Maja ndodhet në gjendje kritike dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Zhurmat dhe pluhuri i guroreve ka qenë shqetësuese për banorët e zonës, të cilët janë ngritur disa herë në protesta duke kërkuar mbylljen e tyre.
Njoftimi i Policisë:
Ditën e sotme, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë - Thumanë ka ndodhur një konflikt mes shtetasve B. M., e J. M., dhe shtetasve Xh. Rr., I. Rr., dhe K. Rr.
Gjatë konfliktit shtetasit Xh. Rr., I., Rr., dhe K. Rr., dyshohet se kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M. dhe J. M., të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të shtetasit P. Rr., i cili ka leje shfrytëzimi dhe licensë për zhvillimim e aktivitetit dhe sipas pretendimeve të shtetasve të dëmtuar (B. M. dhe J. M.) kur ndodhin plasje në gurore, krijon shqetësime në banesat e tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë shoqëruar shtetasit Xh. Rr., dhe P. Rr., si dhe po punojnë për shoqërimin e shtetasve I. Rr., dhe K. Rr., të përfshirë në këtë konflikt.
Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë një informacion të plotë.