
Një pjesë e murit të një pallati në lagjen 18 në Durrës ka rënë mëngjesin e sotëm duke rrezikuar kalimtarët në rrugë. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet për ngjarjen. Banorët thonë se kjo është një ngjarje e përsëritur.
Muri i pallatit të dëmtuar nga tërmeti ka aksidentuar edhe një fëmijë 5-vjecar para një jave thanë banorët.
“Ajo ka qenë e çame. E shihnin të gjithë dhe asnjë nuk vinte me e heq. Ku është qeveria, ku është teknika? Asnjë. Ka tre vjet. Ja ku është tjetra, asnjë nuk e vret mendjen. Këto shiritat i kanë vënë policia vetë”, u shpreh një banor.
“Duke kaluar ishte, shpëtoi”, tha një tjetër.
Banorët thonë se janë të detyruar të jetojnë me rrezikun e vdekjes brenda në pallatit pasi kanë tre muaj pa marrë bonusin e qerasë.
Ata u shprehën se bashkia nuk ka marrë asnjë masë ndërkohë që për çdo ditë janë të rrezikuar nga shembja e pjesëve të ndryshme të pallatit 7 katësh.
Tre katet e para të pallatit si edhe shkallët janë dëmtuar rëndë, por brenda tij ka disa familje që banojnë.