Riaktivizohet zjarri në pyllin me pisha e dushqe në Peshtan të Fierit. Burime informacioni nga ky fshat pohojnë se flakët po përhapen me shpejtësi për shkak të terrenit dhe ka erëra të forta që ndihmojnë përhapjen e zjarrit.
Nga zjarri i djeshëm kishte mbetur një vatër zjarri e cila është riaktivizuar duke shkaktuar vatra të tjera zjarri.
Drejtori i zjarrfikësve të bashkisë Fier Zija Hyka ka pohuar se situata është shumë e vështirë.
‘Tre grupe zjarrfikëse janë në terren. Po ashtu kërkohen përforcime nga repartet e zjarrfikësve të Patosit. Zjarri po përhapet me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë dhe rrezikone që flakët të dalin në rrugën e vjetër rurale Fier - Cakran në vëndin e quajtur "Qafa e Shkozës". Fillimisht priten ndihma nga kolegët e Patosit, por nëse situata vazhdon e njëjtë do kërkohet ndihmë nga helikopteri si një ditë më parë’- ka përfunduar shefi zjarrfikseve të bashkisë Fier Zija Hyka.
Terreni është shumë i vështirë, automjetet nuk shkojnë deri afër vatrave të zjarrit dhe punonjësit luftojnë me flakët me pompa uji në shpinë dhe mjete rrethanore, kazma e lopata për të shuar zjarrin.