Në garën e fundit për Prokuror të Përgjithshëm ndodhi diçka që deri atëherë dukej e pazakontë: një avokat vendosi të sfidonte traditën dhe të kandidonte për drejtimin e organit më të lartë të akuzës.
Ai ishte Av. Lulzim Alushaj, i vetmi përfaqësues i avokatisë që pati kurajën të hynte në një garë të dominuar historikisht nga magjistratët.
Sot, në garën e re, avokatia mungon plotësisht. Asnjë avokat nuk ka paraqitur kandidaturë. Kjo nuk mund të kalojë si një rastësi.
Kur një profesion me mijëra juristë, që Kushtetuta e njeh si një nga shtyllat e sistemit të drejtësisë, nuk prodhon asnjë kandidat për postin më të lartë të prokurorisë, lind një pyetje e pashmangshme: çfarë mesazhi ka marrë avokatia nga mënyra se si u zhvillua gara e fundit?
A është krijuar bindja se kandidaturat që vijnë nga avokatia nuk kanë një mundësi reale për t'u vlerësuar mbi bazën e meritës?
A është perceptuar se procesi favorizon në praktikë kandidatë që vijnë nga brenda sistemit, duke e bërë pjesëmarrjen e avokatëve thjesht formale?
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka detyrimin jo vetëm të zhvillojë një procedurë të ligjshme, por edhe të krijojë besimin se çdo jurist që plotëson kriteret kushtetuese ka mundësi reale për të konkurruar.
Kur pas një kandidature të vetme nga radhët e avokatisë në garën e kaluar, sot nuk paraqitet më asnjë avokat, ky është një perceptim që KLP nuk mund ta injorojë.
Po aq shqetësuese është edhe heshtja e vetë avokatisë. Një profesion që çdo ditë mbron të drejtat e qytetarëve përballë prokurorisë dhe gjykatave nuk mund të vetëpërjashtohet nga gara për drejtimin e institucioneve të drejtësisë.
Mungesa e kandidatëve nuk është vetëm mungesë ambicieje; ajo mund të jetë edhe pasojë e mungesës së besimit se gara është realisht e hapur.
Kandidatura e Av. Lulzim Alushaj mbetet deri më sot e vetmja përpjekje konkrete e një avokati për të sfiduar këtë realitet.
Fakti që pas asaj eksperience asnjë avokat nuk ka zgjedhur të kandidojë duhet të shërbejë si kambanë alarmi, si për drejtuesit e avokatisë, ashtu edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Një garë ku një kategori e tërë juristësh nuk sheh më arsye për të marrë pjesë nuk mund të konsiderohet një sukses për sistemin.
Përkundrazi, ajo ngre pikëpyetje serioze mbi besimin, barazinë e mundësive dhe hapjen reale të institucioneve ndaj profesionit të avokatit.