
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, gjatë një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Breaking” në Top News foli për të metat e procesit gjyqësor kundër Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos.
Sipas Manjanit akuza është ngritur nga asgjëja, kundër parimeve themelore të drejtësisë që janë garanci për qytetarët.
Mes të tjerave ai thotë se akuza duhet të thoshte sot se kush u korruptua, sa është vlera e korrupsionit, ku janë lekët e korrupsionit, ku janë personat që u kapën, gjë e cila nuk u bë.
Manjani: Janë dhënë disa bileta avioni dhe ky është korrupsioni, gjyqi i kafeve të Nexhmie Hoxhës është ky? Ky është problemi themelor me mesazhet publike tërësisht të gabuara.
Nuk po them që duhet mbrojtur korrupsioni, jo absolutisht jo, por ju lutem shumë duhet të na kishte thënë akuza sot se kush u korruptua? Sa është vlera e korrupsionit? Ku janë lekët e korrupsionit? Ku janë personat që u kapën? Këtë nuk e ka bërë as Enver Hoxha, lexoni vendimet e Aranit Çelës, të gjykatës së lartë, nuk ka qenë kështu.
Kjo gjë nuk i shërben publikut, unë këtë merak kam. ..por publiku duhet ta dijë. Drejtësia është jashtë shtratit kushtetues, akuza ngrihet jashtë parimeve themelore që janë garanci për publikun dhe stisja e gjërave për interesa politike nuk është gjë e mirë për drejtësinë.
Qëllimi i reformës ka qenë që të rritet besimi i publikut te drejtësia por jo t’i tregojë publikut që unë të fus në burg. Pse kështu do të rrisin besimin këta?