Emisioni “Në Shënjestër” në News24, në emisionin e mbrëmjes së sotme ka hedhur dritë mbi përplasjet e përgjakshme që tronditën qytetin e Elbasanit, ato mes fisit Çopja dhe Alibej.
Nisja e përplasjes shpjegohet në detaje, duke nisur nga jeta e hershme e vëllezërve Çopja dhe mënyra se si ata arritën të ktheheshin nga shitës të vegjël të kokainës në një grup me përmasa ndërkombëtare në trafikun e lëndës narkotike.
Në fillim, kur e nisën këtë punë ata ishin ortakë midis tyre. Por shpejt me kalimin e kohës, Çopjat në njërin krah dhe Alibej në krahun tjetër jo vetëm filluan t’i kthejnë krahët njëri-tjetrit, por edhe të ngrenë armët. Aq sa ajo midis tyre mund të quhet një nga sagat më të përgjakshme që mund të rrëfejë historia kriminale e një qyteti si Elbasani.
Një qytet i drobitur nga krimi dhe lufta midis bandave, që në harkun e pak viteve e kthyen në një kërdi, hakmarrjen e tyre.
Ky është edhe rasti i vëllezërve Hajdar dhe Franc Çopja, të cilët me kalimin e viteve pranuan të paguanin miliona euro për të asgjësuar me çdo kusht dhe mjet vëllezërit Alibej, kërkesë e cila u shoqërua jo vetëm me vrasje, por edhe me masakra me humbje të shumta njerëzore.
Një prej tyre është ajo e vrasjes së trefishtë të ndodhur në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan, mbrëmjen e datës 29 Dhjetor 2018.
Si pasojë e plumbave të shumtë të derdhur ndaj makinës me të cilën udhëtonin, u vranë vëllai dhe xhaxhai i Erion Alibej, respektivisht Endrit Alibej dhe Arben Dylgjeri si dhe shtetasi Erdal Duranay. Vrasjen SPAK ia atribuon vëllezërve Franc dhe Hajdar Çcpja dhe grupit të tyre kriminal. Aspekti më interesant në këto dy episode të zbërthyera tashmë edhe nga komunikimet në Sky Ecc midis vëllezërve Çopja dhe grupit të tij, Aty zbulohet shuma e madhe e parave që ata vendosën në dispozicion për të vrarë me çdo kusht Endrit dhe Erion Alibej dhe anëtarët e grupit të tyre kriminal që kishin me vete nga pas. Erion Alibej i njohur si ‘Krymi’, i cili pas masakrës ku humbën jetën të afërmit e tij, ndërmori një fushatë spastrimi dhe ekzekutoi me ndihmën e vrasësit me pagesë Nuredin Dumani, këdo që dyshonte se i kishte vrarë vëllain dhe xhaxhain. Por teksa ai hakmarrej, edhe banda kundërshtare ishte vënë në ndjekje të tij dhe kërkonte me çdo kusht për ta ekzekutuar. Por para se të shuajmë këtë kuriozitet se sa ishte shuma e parave që ishin të gatshëm vëllezërit Çopja për të paguar për kokën e Erion Alibej dhe mbështetësve të tij, le të ndalemi fillimisht kush janë vëllezërit Çopja, dhe si arritën ata nga disa shpërndarës të vegjël të kokainës në sheshet e Evropës, të ktheheshin deri në sipërmarrës të trafikimit ndërkombëtar të lëndës narkotike?
Cila ishte lidhja e tyre me Endrit dhe Erion Alibej dhe pse ata shkuan drejt fundit të ortakërisë së tyre? Një fund dramatik dhe tejet i përgjakshëm, ku kufomat e batareve të plumbave u shpërndanë sa në Shqipëri aq edhe midis Evropës.
Gjatë hetimeve janë zbuluar të dhëna të rëndësishme mbi shumë vrasje të ndodhura në qytetin e Elbasanit gjatë periudhës kohore të viteve 2018-2022. Ngjarje për të cilat me urdhër të GJKKO-së, janë sot në hetim apo me masë sigurie 50 persona, nga të cilët 32 me masën arrest me burg. Zbardhjes së tyre u erdhi në ndihmë zbërthimi i bisedave që grupi i Çopjave kishte kryer në aplikacionin Sky Ecc, gjatë periudhës së përgatitjes së vrasjeve dhe pas realizimit të tyre. Fashikuj me biseda të bëra të mundura nga organet gjyqësore në Francë.
Nga ku ndër të tjera u evidentua edhe një organizatë kriminale e cila ishte pjesëmarrëse e rregullt në trafikun ndërkombëtar të kokainës si edhe në vrasje me pagesë, apo korruptimin e zyrtarëve në sistemin e drejtësisë apo deri edhe rekrutimin e punonjësve të Drejtorive Vendore të Policisë, në këtë rast të qyteteve Durrës dhe Elbasan, organizatë që sipas SPAK drejtohej nga vëllezërit Çopja nga Elbasani.
Franc Çopja i njohur edhe me emrin e dytë Franc Gergely dhe Hajdar Çopja njohur ndryshe si Hajdar Bako, një organizatë që shtrihej nga Europa deri në Amerikën Latine në vende si Ekuadori, Brazili, Kolumbia, Paraguaji dhe Bolivia. Aty ata siguronin lëndën narkotike, të llojit kokainë, aktivitet që thuhet se vëllezërit Çopja e kishin nisur rreth viteve 2006-2007, fillimisht si shpërndarës të vegjël të sasive të kokainës dhe më pas duke shtuar oreksin, aq sa e shtrinë aktivitetin e tyre kriminal edhe përtej Italisë. Ata u fuqizuan brenda një kohe të shkurtër dhe kapur tregje të rëndësishme në kontinentin e vjetër, si në Holandë, Belgjikë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Fuqi, pushtet dhe kontakte që u dhanë atyre mundësinë të ndërmjetësonin drejtpërdrejt me grosistë të rëndësishëm të kokainës në Amerikën e Jugut, Ajo çka tregoi se në vitin 2018, tashmë vëllezërit nuk ishin më ata sipërmarrësit e vegjël të kokainës nëpër sheshet e Evropës, por u kthyen në një organizatë të mirëfilltë me natyrë kriminale ku ata ishin drejtuesit.
Kaq të fuqishëm sa ata tashmë filluan të trafikonin kokainë edhe në Indi, Afrikën e Jugut dhe në Singapor me një nevojë për dominancë dhe ruajtje të pozicionit si lider që i çoi edhe në kurdisjen e eleminimeve të para të kundërshtarëve të tyre, lojtarë të cilët thuhet se kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e kokainës në Evropë, por edhe më gjerë.
Ata ishin kthyer në një pengesë që duheshin hequr qafe nga vëllezërit Çopja. Ashtu siç erdhi për ta edhe përplasja me grupin e Alibej, që kishte si drejtues Endrit dhe Erion Alibej, po nga i njëjti qytet, Elbasani.
Ekzekutime të cilat vëllezërit Çopja i nisën fillimisht me eliminimin e drejtpërdrejt të Endrit Alibej, në atë që tashmë njihet si Masakra e Bradasheshit, dy net para ndërrimit të viteve. Grupi hetues ka provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se porositës të kësaj masakre ku mbeti i vrarë vëllai i Erion Alibej, xhaxhai i tij dhe një shtetas turk, janë vëllezërit Çopja dhe grupi i tyre i armatosur të cilët paguan qindra mijëra euro për eliminimin.
Kjo vrasje u bë në pretekstin e një grabitje prej 50 kg kokaine në Mbretërinë e Bashkuar.
Dosja hetimore: “Endrit Alibej kishte një rol të rëndësishëm në trafikimin e kokainës nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të Italisë, Holandës, Belgjikës, Britanisë së Madhe si dhe vende të tjera në Europë.
Por për ta eleminuar atë dhe për të marrë në dorë zotërimin e tregut të narkotikëve dhe lidhjet me eksponentë të rëndësishëm në këtë trafik, vëllezërit Çopja gjetën si pretekst për të eleminuar Endrit Alibej dhe familjarët e tij, grabitjen e 50 kg kokainë në Londër.
Për këtë arsye mbrëmjen e datës 29 Dhjetor 2018, u organizua në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan, ekzekutimi i Endrit Alibej, xhaxhait të tij Arben Dylgjeri dhe shtetasit turk Erdal Durunay. Ku përtej dyshimit të arsyeshëm është provuar se ekzekutimi është porositur nga organizata kriminale ‘Çopja’. Kjo me qëllim që të justifikonin vrasjen e Endrit Alibej, tek lidhjet e përbashkëta që ata kishin në narkotrafik. Ku si Alibej ashtu dhe Çopja punonin me të njëjtët shtetas të huaj si dhe shtetas shqiptar”.
Pra siç del nga hetimet e SPAK, i gjithë plani i Çopjave ishte të shkëpuste këtë lidhje të Endrit Alibej me këta eksponentë të rëndësishëm të drogës. Por sigurisht duke gjetur një pretekst që do të ishte mjaftueshëm i besueshëm te partnerët e tyre. Diabolizëm që nuk u la me kaq.
Për të humbur gjurmët Franc Çopja, shkoi edhe në varrimin e Endrit Alibej, gjë për të cilën ai tallet edhe gjatë bisedave në Sky Ecc me pjesëtarët e grupit të tij kriminal.
Dosja hetimore: “Nga kqyrja e pamjeve filmike rezultoi se automjeti BMW X6 më ngjyrë të bardhë me targa AA 011 VN, me të cilët mendohet se lëviznin bashkëpunëtorët në atentatin e ndodhur në rrethrrotullimin e Bradasheshit, mbrëmjen e datës 29 Dhjetor 2018, i përket një banori të njësisë Nr. 11 në Tiranë. Vetëm disa muaj pas atentatit ndaj Endrit Alibej dhe familjarëve të tij, konkretisht më datë 3 Shkurt 2019, ky automjet është përdorur nga shtetasi Hajdar Bako, dhe më tej nga shtetasi Mikael Qosja. Ndërkohë që nga pamjet e kamerave filmike është konstatuar se gjuajtja me predha ndaj makinës me të cilën udhëtonte Endrit Alibej dhe familjarët e tij është kryer nga një makinë e tipit ‘Mercedes Benz’ ngjyrë gri, ku pas tij dallohet edhe një tjetër automjet ‘Mercedes Benz’, ngjyrë e zezë, që dyshohet se është i ndihmësve të ekzekutorëve”.
Lidhur mbi këtë ngjarje të rëndë kriminale grupi hetues në atë kohë pyeti krahas familjarëve të viktimave edhe vetë personazhet që në këtë kohë ishin të dyshuarit kryesorë se kishin gisht në ekzekutimin e Endrit Alibej, dhe të afërmve të tij. Konkretisht edhe Hajdar Bakon, apo Çopja, por edhe personazhe si Talo Çela dhe Mikael Qosja që në vazhdim dalin se janë pjesë e grupit kriminal Çopja.
Vrasje e cila u krye nga dy armë të ndryshme zjarri, nga të cilat u qëlluan 24 plumba. Ku një nga të afërmit e Endrit Alibej rrëfeu se ky i fundit kishte mbërritur në Shqipëri, pasi më datë 1 Janar, kishte ditëlindjen e djalit. Po kështu kishin edhe një dasmë. Arsyeja përse në Shqipëri bashkë me të ishte kthyer edhe xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri, si edhe miku i tij turk Erdal Durunay. Por i pyetur nga grupi hetues, Hajdar Bako, apo Çopja, mohoi që të kishte lidhje me ngjarjen. Edhe pse grupi hetues kishte informacione se Çopjat dhe Alibejt ishin në një konflikt të mprehtë midis tyre.
Hajdar Çopja (Bako): “Endrit Alibej unë e njoh pasi kam patur lidhje shoqërore me vëllain e tij Erionin. Për sa i përket Endritit unë kam kohë pa e parë, pasi kryesisht jetoj gjithë kohën jashtë. Ndërsa Erionin për herë të fundit e kam parë gjatë verës. Përsa i përket ditës së ngjarjes, mua më ndërroi jetë babai. Dhe një shoku im Mikael Qosja më tha se në rrugë kishte takuar Erion Alibejn. Ky i kishte thënë Mikaelit që do t’i shkojë për ngushëllim Hajdarit. Por atë ditë ndodhi vrasja e Endritit dhe Erioni nuk erdhi për ngushëllim. I vetmi që erdhi ishte daja i tyre Doni (Qani Alibej)”.
Por ai që duket se tradhtoi fillimisht grupin kriminal Çopja në ekzekutimin e trefishtë të Bradasheshit ishte Nuredin Dumani.
Dikur bashkëpunëtor me pagesë në vrasje të ndryshme, sot bashkëpunëtor i drejtësisë që po vazhdon të rrëfejë të gjithë dijeninë e tij për vrasjet e kryera në Elbasan dhe më gjerë në harkun kohor të viteve 2016-2022. Ai tregoi se i përfshirë në vrasjen e trefishtë të Bradasheshit ishte dhe Eljo Bitri, i cili del se ka qenë vëzhgues në këtë ngjarje.
Nuredin Dumani: “Eljo më ka thënë se ka qenë vëzhgues për këtë ngjarje. Dhe financues kanë qenë vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja, ndërsa organizator Kel Kamami i cili ka luajtur edhe rolin e vëzhguesit. Ndërsa ekzekutorët kanë qenë Altin Ndoci, Mir Haxhia dhe shoferi i mjetit të ekzekutorëve ka qenë Talo Çela. Ku Eljo më tregoi një nga mesazhet që i kishte dërguar Talo Çela, ku në foto shikoheshin kartëmonedha me prerje 20 euro. Që në total ishin 20 mijë euro. Me qëllim për t`ja bërë dhuratë Eljos. Po kështu kam dëgjuar edhe mesazhin zanor që Talo i kishte dërguar Eljos, ku i thoshte se për çdo punë që ke bërë do të shpërblehesh”.
Eljo Bitri i cili doli se ka komunikime të shpeshta me shtetasin Mikael Qosja përgjatë periudhës kohore nga data 19 deri më 29 Dhjetor 2018.
Edhe pse për grupin hetues gënjeu duke thënë që Mikaelin e njihte vetëm së largu. Një nga personat që u pyet në lidhje me rrethanat e ngjarjes ishte edhe Erion Alibej. Vëllai i Endrit Alibej, i cili pranoi se midis tyre dhe Çopjave kishte një ftohje.
Erion Alibej: “Në fillim vëllai im Endriti i ka ndihmuar shumë vëllezërit Çopja deri sa këta u fuqizuan. Më pas ata filluan të na rrinin ftohtë dhe sidomos Endritit, por pa ndonjë arsye. Një një vit e gjysmë para vrasjes së vëllait tim, vëllezërit Çopja, Franc Gergely dhe Hajdar Bakos u kanë vjedhur në Londër 50 kg kokainë. Vëllezërit Çopja e kanë mësuar se kush ua ka vjedhur kokainën. Pas kësaj ngjarje, unë u ktheva nga Anglia dhe erdha në Shqipëri. Ndërsa përsa i përket Mikael Qosjes ajo që mund të them është se ai ka lidhje familjare dhe njohje me Emiljano Ramazanin, Regis Runajn, Eljo Bitrin si dhe me vëllezërit Çopja”.
I pyetur edhe njëherë në lidhje me dijeninë e tij për vrasjen e trefishtë të Endrit Alibej dhe familjarëve të tij, bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, tregoi për grupin hetues edhe shumën me të cilën Talo Çela do të paguhej për eleminimin e Endrit Alibej. Si edhe arsyet përse grupi kriminal Çopja ishte i interesuar dhe paguante kaq shtrenjtë për asgjësimin e Alibej.
Nuredin Dumani: “Talo më tha se i kishte marrë Kel Kamamit 250 000 euro për të realizuar ekzekutimin e Endrit Alibej. Këtë punë ata donin ta bënin edhe për t’u lidhur me grupin e vëllezërve Çopja, pasi porosia ishte e tyre. Me qëllim që më pas ata punonin me drogë. Por kjo do bëhej vetëm që të shkatërrohej grupi tjetër, që ishte dukshëm më superior, por po kështu edhe mendjemëdhenj. Dhe se konflikti sipas Talos midis Çopjave dhe Alibej, kishte nisur për nga ngarkesë me drogë ku secili prej tyre kishte 4 milionë euro, pra në total 8 milionë euro”.
Siç edhe Talo Çela i kishte shpjeguar më tej, pasi grupi i Çopjave ekzekutuan Endrit Alibej, ata morën të gjithë drogën për vete. Ndërsa Talo 250 mijë euro, kurse çdo pjesëtar i grupit të ekzekutimit nga 5 kg kokainë.
Nuredin Dumani: “Talo Çela e ka ndjekur ‘Range Roverin’ e Endrit Alibej për 5 ose 6 ditë. Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë Talo si shofer, ndërsa në vend të parë ka qenë Miri Haxhia dhe mbrapa Altin Ndoci. Këta të fundit ishin atentatorët e ngjarjes së Elbasanit. Informacionin për lëvizjet e viktimave atyre ua jepte Kel Kamami i cili në atë kohë lëvizte me një BMW X6 të bardhë. Në këtë ngjarje, Gent Sharra ka patur rolin e organizimit të vrasjes sepse ai ka mundësuar vënien në dispozicion të makinës tip ‘Mercedes Benz E Class’ si dhe armëve të përdorura në ngjarje”.
Por Erion Alibej nuk e la me kaq vrasjen e vëllait dhe të afërmve të tij. Edhe pse ai kishte dyshimet e veta mbi vrasësit, ai ende nuk e kishte bindjen e plotë se grupi që qëlloi mbi njerëzit e tij, ishte porositur nga vëllezërit Çopja, të cilët nga ana e tyre jo vetëm që bënin të paditurin, por në bisedat që ata kishin me Erion Alibej ia linin fajin Suel Çelës. Ndërkohë që Erion Alibej kishte marrë informacion se një nga bashkëpunëtorët në vrasjen e vëllait të tij, ishte edhe Dashnor Dumani, vëllai i Nuredin Dumanit.
Erion Alibej: “Unë e takova Suel Çelën në shtëpinë e tij në Hagë. Ai më tha që ta ka bërë Franc Çopja, me Talon, dhe me Kelin’. Më herët unë Talo Çelën nuk e kisha dëgjuar në jetën time. Besoj as Endriti.
‘Ta ka bërë Franci me Darin’, më tha. ‘Arsyeja pse ma bënë këta?,- e pyeta.
Më tha që ‘flitet për 50 kile që kanë humbur në Angli…dhe sikur ia keni marrë ju… Dua të theksoj që më përpara kisha dëgjuar dhe unë për këto 50 kilet”.