Policia e Lezhës ka shkatërruar tre parcela me kanabis, në kuadër të fazës së 24-t të operacionit të koduar “Imazhi”.
Parcelat kanë gjetur në pyllin e Kepshit, në fshatin Blinisht dhe një tjetër në fshatin Malecaj, me në total 1779 rrënjë kanabis.
Policia thotë se në bashkëpunim me Prokurinë po vijojnë hetimet për zbulimin e personave të përfshirë në kultivimin e kanabisit.
Njoftimi i plotë:
Finalizohet faza e 24-t e megaoperacionit policor të koduar “Imazhi”.
Asgjësohen nëpërmjet djegies, 1779 bimë narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në 3 njësi administrative të qarkut.
Shërbime të Komisariatit të Policisë së Lezhës, të pajisura me dronë, kanë vijuar kontrollet në zona të pyllëzuara të qarkut, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Si rezultat, u finalizua faza e 24-t e megaoperacionit policor antikanabis, në nivel qarku, të koduar “Imazhi”, si rezultat i së cilës, janë gjetur të kultivuara në total 1779 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, konkretisht:
-430 bimë u gjetën në pyllin e Kepshit dhe 62 bimë u gjetën në fshatin Mërqi, njësia administrative Kallmet;
-300 bimë u gjetën në fshatin Blinisht, njësia administrative Blinisht;
-940 bimë u gjetën në fshatin Malecaj dhe 47 bimë u gjetën në fshatin Kakarriq, njësia administrative Balldre.
Bimët narkotike, pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, vijon veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.