Ditën e djeshme humbi jetën tragjikisht në tentativë për të shpëtuar djemtë e tij të mitur Elvis Halilaj 50 vjeç.
Viktimë të ngjarjes së rëndë në det, mbetën edhe fëmijët e Elvisit, 13 dhe 15 vjeç, ngjarja u regjistrua në plazhin e Vilë-Bashtovës, Kavajë.
Dëshmitarët nga vendngjarja raportuan se në plazhin në fjalë ka mungesë të rojeve bregdetare, teksa shtuan se ambulanca u vonua 1 orë e 30 minuta.
3 pjesëtarët e familjes Halilaj humbën jetën tragjikisht, teksa pas vdekjes së tyre kërkohet ndihmë financiare.
Gruaja dhe vajza e mitur e Elvisit tashmë përveç se të pikëlluar, janë edhe në gjendje jo të mirë ekonomike.
Në llogarinë e hapur në GOFUNDME, kërkohet që shqiptarët që kanë mundësi, të kontribuojnë për organizimin e funeralit dhe mbledhjen e të ardhurave për familjen e të ndjerit.
Në zonën ku ndodhi ngjarja janë caktuar plazhi dhe një kufi në det për të caktuar zonën e sigurt dhe qytetarët të mund të pushojnë të qetë.
Mësohet se momentin kur ka ndodhur tragjedia, në zonë ka munguar vrojtuesi i plazhit, por edhe kufiri në det ku 3 anëtarë të një familjeje ndërruan jetë.
Sipas informacioneve, deti ka qenë i trazuar dhe me dallgë të mëdha. Fillimisht dy djemtë kanë hyrë për tu larë, por janë rrezikuar për shkak të dallgëve. 50-vjeçari ka hyrë t’i shpëtojë, pasi dyshohej se një nga fëmijët po mbytej. Por situata ka qenë e vështirë dhe për shkak të dallgëve e kanë patur të pamundur të dilnin në breg.