
Sindikata e Policisë përshëndet tërheqjen nga kalimi në vetting i punonjësve të thjeshtë të policisë si reflektim i vërejtjeve që vetë kjo sindikatë ka adresuar që kur u njoftua kjo nismë.
“U rikthyen edhe njëherë tek ato kritikat që kemi bërë ne që në daljen e ligjit për vetting-un. Që atëherë parashikuam që personali i policisë i nivelit zbatues nuk duhet të merrte pjesë. Numri relativisht i lartë dhe natyrisht do të angazhoheshin shumë struktura për të kaluar këtë personel”, tha në një intervistë për Report TV kreu i Sindikatës, Sadetin Fishta.
Sipas Fishtës, vettingu për punonjësit e thjeshtë ishte i panevojshëm dhe këtë detyrë mund ta bëjë fare mirë Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.
“Vetë strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave të Ministrisë së Brendshme kanë pasur detyra funksionale në lidhje me hetimin e rasteve kur një punonjës policie shkel ligjin. Kjo strukturë ka ekzistuar dhe ka pasur të gjitha mundësitë të hetoj e të marrë masa”, thotë ai.
Sipas ndryshimeve të vettingut në polici, në filtër do të jenë vetëm ata që do të marrin poste të larta në polici. Ministria e Brendshme sheh të arsyeshme se gradat e ulëta nuk kanë nevojë të filtrohen.