Plarent Ndreca vlerëson vendimin e gjyqtarit Denis Frroku: Drejtësia duhet të flasë me ligj, jo me instinkt ndëshkues!

23 December 2025, 14:05Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Plarent Ndreca vlerëson vendimin e gjyqtarit Denis Frroku: Drejtësia
Plarent Ndreca

Avokati Plarent Ndreca ka reaguar në lidhje me një arsyetim gjyqësor të dhënë nga gjyqtari Denis Frroku, duke e cilësuar atë si një shembull të qartë të funksionimit të drejtë të gjykatës në një shtet të së drejtës.

Në një reagim të tij, Ndreca thekson se, pavarësisht se nuk e njeh personalisht gjyqtarin Frroku dhe pa asnjë lidhje tjetër përveç leximit të arsyetimit të vendimit, ky rast meriton të përshëndetet publikisht.

Sipas tij, larg presionit mediatik dhe zhurmës publike, vendime të tilla tregojnë standard profesionalizmi dhe pavarësie reale në sistemin e drejtësisë.

Plarent Ndreca vlerëson vendimin e gjyqtarit Denis Frroku: Drejtësia
Vendimi i gjyqtarit Denis Frroku

Ndreca nënvizon se masa e sigurimit nuk duhet të perceptohet si dënim apo si një mjet për t’i lehtësuar punën prokurorisë, por si një kufizim i përkohshëm i lirisë, i justifikuar vetëm nga nevojat konkrete të hetimit dhe brenda kritereve strikte të parashikuara nga ligji.

“Ky është respekt për prezumimin e pafajësisë dhe drejtësi kushtetuese në praktikë”, shprehet ai, duke shtuar se shoqëria është mësuar të flasë, me të drejtë, për vendime të gabuara, por po aq e rëndësishme është të promovohen edhe vendimet dhe gjyqtarët që tregojnë standard, profesionalizëm dhe integritet.

Sipas Ndrecës, drejtësia nuk forcohet vetëm përmes kritikave, por edhe duke nxjerrë në pah modele pozitive që duhen ndjekur, si një mënyrë për të ndërtuar besim dhe për të konsoliduar shtetin e së drejtës.

Regimi i Plarent Ndrecës:

Kur drejtësia flet me ligj, jo me instinkt ndëshkues

Ky arsyetim i gjyqtarit Denis Frroku është një shembull i qartë i mënyrës se si duhet të funksionojë gjykata në një shtet të së drejtës.

Pa e njohur personalisht, larg prozhektorëve verbues të medias, në një gjykatë pa zhurmë publike, i panjohur si fytyrë dhe pa asnjë lidhje tjetër veç leximit të këtij arsyetimi, mendoj se vendime të tilla duhen përshëndetur publikisht.

Sepse: masa e sigurimit nuk është dënim; nuk është mjet për t’i “lehtësuar punën” prokurorisë; por një kufizim i përkohshëm i lirisë, i justifikuar vetëm nga nevoja konkrete e hetimit, brenda kritereve strikte të ligjit.

Kjo është drejtësi kushtetuese. Ky është respekt për prezumimin e pafajësisë.

Jemi mësuar të flasim, me të drejtë, për vendime të gabuara. Por po aq e rëndësishme është të promovojmë gjyqtarët dhe arsyetimet që tregojnë standard, profesionalizëm dhe pavarësi reale.

Drejtësia nuk forcohet vetëm me kritika. Forcohet edhe duke nxjerrë në pah modelet që duhen ndjekur.


Video