Një plagosje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele në qytetin e Korçës.
Burime bëjnë me dije se i plagosur ka mbetur shtetasi Romeo Berberi, i cili ka marrë një plumb në këmbë.
Berberi është paraqitur në spitalin rajonal të Korçës për të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
"Më datë 18.09.2022, rreth orës 20:20, në Spitalin e Korçës është paraqitur i dëmtuar në këmbë, dyshohet me armë zjarri shtetasi R. B., rreth 53 vjeç, banues në Korçë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga të dhënat e para dyshohet se ngjarja ka ndodhur në një lokal, në lagjen nr. 16, Korçë." thuhet në njoftimin e Policisë.
Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.