Themelues i Fakultetit Ekonomik, ndahet nga jeta profesori i njohur

18 September 2022, 20:27Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Themelues i Fakultetit Ekonomik, ndahet nga jeta profesori i njohur
Naxhi Mamani

Është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare profesori dhe themeluesi i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin “Eqerem Çabej”, Naxhi Mamani. Ai ka mbyllur sytë përgjithmonë mëngjesin e sotëm.

Lajmin e trishtë e jep familja dhe intelektualë të Gjirokastrës, të cilët shkruajnë për ikjen e një njeriu me vlera.

Profesori i Ekonomisë Naxhi Mamani lindi në 7 qershor 1944 në Gjirokastër. Ai ka ndërruar jetë sot si pasojë e një sëmundje të rëndë dhe të pashërueshme, e cila e mundonte prej kohësh.

“Ky burri që ndodhet mes këtyre studentëve është Profesor Naxhi Mamani. Sot Prof. Naxhiu iku, u nda nga ne për tu bashkuar me engjëjt lart në qiell. Iku pa kthim, por la pas emrin e tij të nderuar. Prof. Mamani ishte një ekonomist profesionist dhe njëkohësisht edukator me vlera dhe perkushtim intelektual.

Ai do të mbahet mend si Sekretari Shkencor i K.E. Gjirokastër, Kryetar i Dhomës së Tregetisë dhe Industrisë së Jugut dhe si themeluesi i Fakultetit Ekonomik në Universitetin Eqrem Çabej të Gjirokastrës”, shkruan gazetari Engjëll Serjani teksa jep lajmin e trishtë.

Naxhi Mamani mbante gradën Doktor i Shkencave Ekonomike për studimin “Ekonomia e rrethit të Gjirokastrës, veçoritë e zhvillimit të saj në kushtet e tranzicionit”. Me artikuj të shumtë shkencor të botuar dhe në vendety e BE, ai fitoi dhe titullin akademik “Profesor i Asociuar”.

Profesor Mamani ka mbajtur dhe detyrën e Sekretarit të Këshillit Shkencor të Rrethit dhe Kryetarit të Dhomës së Tregtisë për Qarkun Gjirokastër, ku ndoqi veprimtarinë kërkimore shkencore dhe marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërkufitare në fushën e tregtisë me Janinën e Korfuzin, shkruan newsbomb.al.

Kontributi i Naxhi Mamanit ishte i dukshëm dhe si përfaqësues i “Qendrës së Studimeve Ekonomike e Sociale” me seli në Tiranë; me angazhime ne realizimin e disa projekteve nga programe me donatorë të huaj me përfitime ne fusha të ndryshme për komunitetin gjirokastrit e më gjerë.

Themelues i Fakultetit Ekonomik, ndahet nga jeta profesori i njohur


Video