Përfundon aventura e të liruarit nga Amnistia Penale, arrestohet në Tiranë

25 April 2024, 20:10Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Përfundon aventura e të liruarit nga Amnistia Penale, arrestohet
Ardian Isufi

Të shumtë ishin të burgosurit që përfituan nga amnistia, dhe me lotë në sy treguan se sa e shtrenjtë është liria.

Por jo për Ardian Isufin. Liria e tij ka zgjatur pak më shumë se 24 orë, pasi ka rënë në prangat e Policisë në Tiranë.

Ai përfitoi nga Amnistia Penale dhe u lirua ditën e djeshme nga burgu i Drenovës, por vetëm pak orë më pas rrëmbeu një makinë në qytetin e Korçës.

Aventura e Isufit ka përfunduar sot, teksa është gjurmuar dhe lokalizuar në Tiranë. Tashmë ai është rikthyer sërsh pas hekurave.

Njoftimi i Policisë:

Falë bashkëpunimit mes strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kapet në qytetin e Tiranës dhe vihet në pranga 36-vjeçari, i cili mbrëmjen e djeshme vodhi në Korçë një automjet.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në lidhje me zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 18, Korçë, ku u vodh një automjet, falë shkëmbimit të informacioneve mes DVP Korçë e strukturave të DVP Tiranë, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, në qytetin e Tiranës.

Si rezultat u ndalua shtetasi në kërkim A. I., 36 vjeç, banues në Pogradec, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes së pronës (automjeteve).

Ky shtetas mbrëmjen e datës 24.04.2024, dyshohet se ka vjedhur në Korçë, automjetin tip "Ford", në pronësi të një 30-vjeçari.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.  


Video