Për Metën vendoset të enjten, Kushtetuesja shtyn seancën

1 February 2022, 19:21Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Për Metën vendoset të enjten, Kushtetuesja shtyn seancën

Gjykata Kushtetuese e ka shtyrë për të enjten në orën 10:00 seancën e shqyrtimit të kërkesës së Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Seanca maratonë e kësaj të marte u mbyll rreth orës 19:00 pa një vendimmarrje përfundimtare. Presidenca paraqiti më herët një kërkesë për përjashtimin nga gjykimit të të gjithë trupës së Kushtetueses me pretendimin e papajtueshmërisë dhe konfliktit të interesit në këtë çështje.

Kërkesa u rrëzua unanimisht nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që rifillimi i seancës rreth orës 17:30 pasoi përplasje të re në lidhje me pjesëmarrjen me autorizim të Kuvendit të ekspertit Erind Mërkuri.

Përfaqësuesit e Presidentit Meta thanë se procesi ishte i njëanshëm dhe ishte ndërmarrë në shkelje të rënda proceduriale. Për të argumentuar njëanshmërinë e këtij procesi, këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj kundërshtoi praninë në seancë të ekspertit Erind Mërkuri, që gjatë punimeve të komisionit hetimor në maj të vitit të kaluar foli si ekspert i pavarur.

“Erind Mërkuri i zgjedhur nga Parlamenti si ekspert i pavarur në komisionin hetimor, ndërsa sot e sjell si përfaqësues me autorizim. Procesi hetimor ndaj Presidentit e jo ligjor në shkelje të Kushtetutës”, tha Dervishaj.

Kuvendi e kundërshtoi duke deklaruar se Mërkuri ishte vërtet i pranishëm në sallë me autorizim nga Kuvendi, por jo si përfaqësues i këtij institucioni.

“Zoti Merkuri është ekspert ligjor. Është marrë si ekspert konstitucionalist për natyrën e kësaj çështje. S’ka shprehur mendime personale për vendimmarrjen e Kuvendit. Sot është për të bërë komente për të drejtën kushtetuese dhe asgjë tjetër”, deklaroi përfaqësuesja e Kuvendit, Klotilda Bushka./Voxnews.al


Video