Në fillim të gushtit të vitit të kaluar disa media online raportuan se ishte grabitur shtëpia e kreut të SPAK, Arben Kraja në Gjirin e Lalzit. Vetë Kraja e mohoi si lajm.
Por, gjashtë muaj më vonë një video që pretendohet se është shkrepur gjatë grabitjes përforcon lajmin se vila e Arben Krajës në Lalëz ka rënë pre e skifterëve.
Video e publikuar nga media online “5 pyetjet” tregon momentin kur grabitësit kanë grabitur banesën e Krajës.
Të veshur me kostum sportive, e me maskë anti-COVID në fytyrë e me kapele në kokë, ata rrinë gjatë në rrugë, derisa vendosin të rikthehen brenda banesës. Ndërkohë që krah tyre, dallohet qartë mjeti i kreut të SPAK, që mohoi kategorikisht të kishte ndodhur grabitja.
Ngjarja ngre shumë pikëpyetje të tjera, pse nuk e denoncoi Kraja grabitjen e ndodhur? E mbi të gjitha a gënjeu publikisht para të gjithëve duke e mohuar grabitjen? A do të mbajë ndonjë përgjegjësi për të?