Seanca plenare e Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta rinisi në orën 17:30 minuta pas një ndërprerje prej 2 orësh, që gjyqtarët u lanë afat dy palëve të përfshira në proces për t’iu përgjigjur mbi 50 pyetjeve të ngritura nga gjyqtarët.
Seanca filloi me këmbënguljen e përfaqësuesve të Presidentit Meta, që thanë se procesi ishte i njëanshëm dhe ishte ndërmarrë në shkelje të rënda proceduriale.
Për të argumentuar njëanshmërinë e këtij procesi, këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj kundërshtoi praninë në seancë të ekspertit Erind Mërkuri, që gjatë punimeve të komisionit hetimor në maj të vitit të kaluar foli si ekspert i pavarur.
“Erind Mërkuri i zgjedhur nga Parlamenti si ekspert i pavarur në komisionin hetimor, ndërsa sot e sjell si përfaqësues me autorizim. Procesi hetimor ndaj Presidentit e jo ligjor në shkelje të Kushtetutës”, tha Dervishaj.
Kuvendi e kundërshtoi duke deklaruar se Mërkuri ishte vërtet i pranishëm në sallë me autorizim nga Kuvendi, por jo si përfaqësues i këtij institucioni.
“Zoti Merkuri është ekspert ligjor. Është marrë si ekspert konstitucionalist për natyrën e kësaj çështje. S’ka shprehur mendime personale për vendimmarrjen e Kuvendit. Sot është për të bërë komente për të drejtën kushtetuese dhe asgjë tjetër”, deklaroi përfaqësuesja e Kuvendit, Klotilda Bushka.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.