Autoritet greke kanë pranuar ndihmën e Shqipërisë për të dërguar një grup zjarrfikësish dhe mjekësh drejt vendit fqinj që po përballet me zjarret masive prej 5 ditësh.
Vendimi vjen vetëm disa orë pasi ky grup zjarrfikësish nga Shqipëria u kthye pas në pikën doganore, teksa në media u raportua gjerësisht se Greqia e refuzoi ndihmën e vendit tonë.
Megjithatë, Ministria greke për Emergjencat Civile konfirmon se ndihma është pranuar.
Drejt Greqisë tashmë pritet të niset një grup me 58 efektivë dhe 10 mjete nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera operative të Sistemit të Mbrojtjes Civile Shqiptare, më konkretisht, strukturat zjarrfikëse nga Bashkia Korçë, Dropull, Maliq dhe Gjirokastër.
Ndihma është kërkuar nga Greqia përmes Ambasadës Shqiptare në Athinë, e cila ka vënë menjëherë në dijeni ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.