Situata nga zjarret drejt normalizimit, tre vatra ende aktive

23 August 2023, 16:12Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Situata nga zjarret drejt normalizimit, tre vatra ende aktive
Zjarret në vend

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë mesditën e sotme informacion lidhur me situatën nga zjarret në vend.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht janë aktive tre vatra zjarri në fshatin Sinanaj të Tepelenës, në fshatin Jarua të Fierit dhe në Grazhdan të Finiqit. Këto vatra po mbahen nën kontroll si dhe po punohet për izolimin e tyre.

Zjarret në Laç dhe Selenicë të Vlorës janë shuar plotësisht.

Situata nga zjarret sipas Ministrisë së Mbrojtjes:

Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, gjatë ditës së sotme kanë bërë të mundur shuarjen përfundimtare të vatrave aktive të zjarrit në fshatin Delbnisht, në Njësinë Administrative Milot, bashkia Kurbin.

Në kurorën e qytetit të Laçit, afër Kishës së Shën Antonit, aty ku situata ishte tejet kritike qe prej ditës së djeshme, vatrat e zjarrit janë shuar përfundimisht. Momentalisht, situata është e qetë dhe po monitorihet nga punonjësit e zjarrfikëses dhe shërbimit pyjor.

Gjithashtu është bërë e mundur shuarja e një vatre zjarri pranë superstradës Milot-Lezhë.

Në fshatin Treblovë, në bashkinë e Selenicës të qarkut Vlorë, zjarri është arritur të shuhet plotësisht. Fal ndërhyrjes në kohë me helikopter u bë e mundur shpëtimi i 4 shtëpive.

Po punohet me intensitet për mbajtjen nën kontroll të vatrave të zjarrit në fshatin Jarua, bashkia Fier ku është shmangur rreziku për banesat.

Në fshatin Sinanaj, në bashkinë Tepelenë, punohet nga terreni për izolimin e vatrës së zjarrit.

Puna vijon edhe në fshatin Grazhdan, në bashkinë e Finiqit për normalizimin e vatrës pas riaktivizimit.


Video