Paratë e partive për reklamat online, KQZ kontakton drejtpërdrejt Facebook

11 February 2022, 20:06Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Paratë e partive për reklamat online, KQZ kontakton drejtpërdrejt
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi në takimin virtual me përfaqësues të Facebook

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bashkëpunojë me Facebook për të siguruar transparancën e reklamave online të partive politike shqiptare në këtë platformë. Komisioneri Ilirjan Celibashi ka zhvilluar këtë të premte një takim online me përfaqësues të kompanisë “Meta”.

Biseda ka qenë me përfaqësuesit e Meta, Kateryna Kruk, Drejtore Rajonale për Politikat Publike të Europës Qendrore e Lindore dhe Oskar Braszczynski, Menaxher Partner për Qeveritë, Politikën dhe Organizatat Jofitimprurëse.

Sipas njoftimit të KQZ-së, Oskar Braszczynski prezantoi punën e Meta për transparencën e reklamave politike dhe adresoi pyetjet dhe kërkesat e KQZ.

“KQZ-së iu ofrua pasqyra e plotë dhe një sërë mjetesh të nevojshme për të zbatuar më mirë kërkimin e transparencës së plotë në reklamat politike shqiptare, veçanërisht gjatë periudhave kohore elektorale. Si Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve, mirëprita mundësinë për të përfituar nga programi i transparencës së reklamave politike të platformave Meta dhe pohoj se ky është një hap i rëndësishëm përpara në përballjen e sfidës sonë për t'i dhënë dritë të plotë shpenzimeve reale online të ekosistemit të partive politike shqiptare”, deklaron Celibashi.

Fokusi i takimit ishte edhe eksplorimi i mënyrave të bashkëpunimit dhe hapja e kanaleve të komunikimit të drejtpërdrejt të KQZ në grupin më të madh të mediave sociale në botë, siç thotë Celibashi, në funksion të përpjekjeve për të ofruar transparencë për partitë politike shqiptare në mediat sociale dhe shpenzimet online.


Video