'Pagoi Dumanin 120 mijë € për të vrarë gruan', arrestohet në Rinas avokati (Emri)

6 September 2023, 14:34Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
'Pagoi Dumanin 120 mijë € për të vrarë
Alban Bengasi/ Nuredin Dumani

Avokati Alban Bengasi i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit Plumbi i Artë është arrestuar sot duke hyrë në Shqipëri teksa po kthehej nga Dubai. 

Bengasi ka paguar 120 mijë euro për të vrarë ish-gruan e tij, për të cilën dyshonte se e kishte tradhtuar me shokun e ngushtë.

Ngjarja u zbardh pas dëshmisë tronditëse të dhënë për SPAK nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani i cili rrëfeu se fillimisht Bengasi kishte kërkuar që gruaja e tij Blerta Bengasi të dhunohej dhe t’i shkaktoheshin dëme të shumta.

Operacioni i koduar “Plumbi i Artë”, ka nisur menjëherë pas arrestimit të shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u kap gjatë operacionit policor të koduar “Arratia”.  

Dumani i konsideruar një nga personazhet më të kërkuar të botës së krimit, u arrestua në Fier më 29 mars 2022 pas një tentativë të dështuar për të vrarë Talo Çelën.

Bashkë me të, u vu në pranga ushtari i tij, Henrin Hoxhaj që e ndihmoi në arratinë e shkurtër. Dëshmitë e tyre dhe provat e gjetura në telefonin e Dumanit që mbeti i plagosur në përballjen me Talo Çelën, ndihmuan SPAK në zbërthimin e grupeve kriminale dhe vrasjeve të organizuara kriminale të një dekade nga viti 2011 deri në 2022-shin.

Njoftimi policisë:

Vijon megaoperacioni policor i koduar “Golden Bullet”.

Ndalohet në Rinas, një shtetas tjetër i shpallur në kërkim gjatë këtij megaoperacioni.    

Në hyrje, në aeroportin e Rinasit, gjatë përpunimit të dokumentacionit të pasagjerëve, shërbimet e Policisë kanë identifikuar dhe ndaluar shtetasin A. B. 

Ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,  ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, mbi dyshime për përfshirje në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar.  

Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.


Video