Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi sot policinë e shtetit dhe kreun e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Ardi Veliu në lidhje me vdekjen e të riut Lear Kurti.
Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, ashmë u vërtetua se Lear Kurti u vra nga dora e shtetit. Sali Berisha listoi kontradiktat e policisë dhe provat filmike që rrëzuan pretendimet fillestare të AMP-së.
Berisha: Gazetarët kanë bërë investigime. "O noku na mbytën", thoshte Leari në klithmën e fundit, sipas asaj që ka parë dëshmitari. Ardi Veliu për të mbrojtur padronët e tij përdhosi dhe vrau për së dyti Lear Kurtin. Investigimet e rrjeteve televizive faktuan se mbi Lear Kurtin, një bandë prej katër policësh, sigurisht të droguar, kanë ushtruar dhunë në mënyrë makabre.
Ardi Veliu ky mashtrues i paskrupullt gënjeu kur deklaroi Lear Kurti po qëndronte para një objekti për të krijuar përshtypjen se ai po përgatitej për një akt delinkuent në një kohë kur ai po ecte i vetmuar nga kamerat, po ecte i vetmuar duke biseduar në telefon me mikun apo familjarët e tij.
Një mashtrim i paskrupullt i policisë u hodh gjithashtu poshtë se sipas tyre, patrulla që e ndaloi kishte dy policë. Pranë tij ishin të paktën 4 në mos më shumë policë e banditë më uniformë.
Të dhënat në fundjavë faktuan se trupi i tij kishte hematoma, ekspertët denoncuan kryerjen e autopsisë në kundërshtinë me ligjin, nga një bandë që donte të fshite krimin. Lear Kurtin ia morën shpirtin xhelatët me uniformë dhe më pas e dërguan në spital.
Berisha kërkoi largimin e Ministrit te Brendshem, Bledi Çuçi.