Dritan Rexhepi, shqiptari i shumëkërkuar që u arrestua para disa ditësh në Stamboll të Turqisë, akuzohet në Shqipwri për një sërë ngjarjesh kriminale të bëra tashmë publike.
Por ministri i Brendshëm Taulant Balla, deklaroi sonte se Rexhepi dyshohet për përfshirje dhe në ngjarje të tjera kriminale në Shqipëri që nuk janë bërë ende publike dhe po hetohen.
“Nga ana jonë Dritan Rexhepi ka qenë një person me pullë të kuqe, me alarmin më të madh”, tha Balla.
A është shqiptari më i kërkuar?
Balla: Po, patjetër, me diferencë, në kuptimin që për shkak edhe të veprave…
Dhe kërkohej nga Italia, Spanja, Belgjika…
Balla: Edhe për shkak të vijueshmërisë së përfshirjes së tij në aktivitete kriminale, ngjarje kriminale që kanë ndodhur së fundmi që unë nuk mund t’i citoj, na rezulton që ky person të jetë.
Dhe ngjarje të tjera veç atyre që janë bërë publike?
Balla: Po.
Dritan Rexhepi kërkohet nga autoritetet shqiptare për disa ngjarje të rënda kriminale. Konkretisht ndaj tij ka një vendim dënimi me 25 vite të 2014 nga ish Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e policëve Arben Keqi dhe Durim Kasmi.
Gjithashtu ndaj Rexhepit, SPAK ka ngritur akuzën e organizimit të rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës, ngjarje e ndodhur në vitin 2020, ku shkak dyshohet se u bë trafiku i drogës.