Një 67-vjeçar është gjetur i mbytur në rezervuarin e Gjançit, rreth 14 kilometra nga qyteti i Korçës.
Bëhet me dije se viktima është identifikuar si shtetasit Niko Ngjela, 67 vjeç, i denoncuar i zhdukur rreth një javë më parë nga familjarët e tij.
Dyshohet se ai vuante nga probleme të shëndetit mendor. Sakaq, kanë qenë banorët e fshatit ata që kanë vënë re trupin e pajetë në rezervuar dhe kanë njoftuar menjëherë policinë.
Trupi i pajetë është dërguar në morgun e Korçës ku pritet t’i nënshtrohet autopsisë për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes.
"Më datë 06.09.2023, rreth orës 17:30, në bregun e rezervuarit të Gjançit, Korçë, është konstatuar i pajetë, dyshohet i mbytur shtetasi N. N., 67 vjeç, banues në Korçë, i cili më datë 02.09.2023, ishte larguar nga banesa e tij.
Nga këqyrja paraprake e kufomës, nuk janë konstatuar shenja dhune.
Trupi i pajetë i 67-vjeçarit, do të transportohet drejt morgut, për të kryer ekspertizën mjekoligjore e cila do të përcaktojë shkakun e vdekjes.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes", bën me dije policia e Korçës.