Një bullgar dhe një turk ekstradohen nga Tirana drejt Greqisë dhe Turqisë, ja për çfarë akuzohen

1 May 2025, 15:41Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Një bullgar dhe një turk ekstradohen nga Tirana drejt Greqisë dhe
Foto ilustruese

Dy shtetas të huaj janë ekstraduar nga Tirana drejt Greqisë dhe Turqisë.

Policia e Shtetit bën me dije se shtetasi turk është i dënuar në vendin e tij për marrëdhënie seksuale me dhunë, ndërsa shtetasi bullgar i ekstraduar në Greqi, është i akuzuar për “ndërmjetësim në një birësim të kundërligjshëm”.

Njoftimi:

Në Turqi u ekstradua një shtetas i dënuar për marrëdhënie seksuale me dhunë.

Në Greqi u ekstradua një shtetas i akuzuar për ndërmjetësim për birësim të kundërligjshëm.

Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale të Interpol Tiranës me homologët e Interpol Ankarasë dhe Interpol Athinës, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Shqipëria, të shtetasve:

-Burak Kara, 39 vjeç, i lindur në Turqi, sepse Gjykata e Mersin, në vitin 2022, e ka dënuar këtë shtetas, me 8 vjet e 4 muaj burgim, pasi në vitin 2011, në gjendje të dehur, ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, me një shtetase turke, në banesën e një shtetaseje tjetër, gjithashtu turke, në Mersin. Nga dënimi, 39-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 4 vjet e gjysmë burgim;

-I. A., 59 vjeç, i lindur në Bullgari, sepse ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Athina, mbi akuzën se në bashkëpunim me të tjerë, gjente gra shtatëzënë (në vështirësi ekonomike), të cilat i çonte në Greqi për të lindur dhe më pas ndërmjetësonte për dhënien e foshnjës, për birësim. Nga kjo veprimtari kriminale ky shtetas dyshohet se ka përfituar 2000-4000 euro/rast. Ai është arrestuar nga shërbimet e Policisë Kufitare të Korçës.


Video