Tentativa e hakerimit të SPAK, Prokuroria e Posaçme i komunikon mbylljen e hetimeve ish-kreut të Burgjeve, Agim Ismailit (VIDEO)

23 December 2025, 16:36Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tentativa e hakerimit të SPAK, Prokuroria e Posaçme i komunikon
Agim Ismaili

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Agim Ismaili është paraqitur këtë të martë më datë 23 dhjetor në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku ka qëndruar për gati dy orë. Ai është nën hetim në lidhje me sulmin kibernetik të ndodhur më 12 mars ndaj sistemit informatik të SPAK.

Mediat raportojnë se Agim Ismailit  i është komunikuar zyrtarisht mbyllja e hetimeve. E njëjta procedurë u është komunikuar më herët edhe dy personave të tjerë të arrestuar në këtë çështje: ish-punonjësit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Arnold Rrokaj, dhe ish-zyrtarit të burgut të Vlorës, Zambak Gjoni.

Nga hetimet e SPAK-ut, rezulton se personat e përfshirë dyshohet se kanë tentuar të ndërhyjnë në kompjuterët e tre prokurorëve të posaçëm, Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini, me synimin për të siguruar të dhëna sensitive. Sipas Prokurorisë së Posaçme, tentativa për depërtim në sistemin e brendshëm të IT-së ka dështuar dhe hakerët nuk kanë arritur të hyjnë në databazat kryesore të institucionit.

Megjithatë, SPAK sqaron se të arrestuarit kanë mundur të sigurojnë disa të dhëna të pjesshme, të cilat më pas dyshohet se janë shpërndarë te persona të tjerë. Në këtë rreth përfshihen dy gazetarë, si edhe Agim Ismaili, ish-kreu i Burgjeve, dhe Dritan Palnikaj, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë.

Hetimet janë fokusuar në rolin konkret të secilit person, mënyrën e sigurimit të informacionit dhe qëllimin e përdorimit të tij. SPAK vlerëson se rasti përbën një ngjarje serioze që synon cenimin e sigurisë së institucioneve të drejtësisë dhe ka theksuar se mbrojtja e sistemeve informatike dhe e pavarësisë së prokurorëve mbetet prioritet.


Video