Ish-polici i akuzuar si garantues i trafikut të drogës, këshilltar i ministrit Çuçi

2 February 2022, 22:11Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ish-polici i akuzuar si garantues i trafikut të drogës,
Aranit Arapi dhe Bledi Çuçi

Ndërsa Ministria e Brendshme ka si detyrë kryesore luftimin e trafikut të drogës, duket se ndodh e kundërta. Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka punësuar si këshilltar të tij pikërisht një person të akuzuar si garant i kultivimit dhe trafikut të hashashit.

Por si qëndron historia?

Pas informacioneve të marra në rrugë operacione policia ndërmori një aksion antidrogë në fshatin Pagri të Përmetit në fillim të prillit të 2017-ës, ku në një banesë gjeti 12 tonë hashash. Pjesa më e madhe e drogës ishte në proces tharjeje, ndërsa pjesa tjetër ishte e paketuar dhe gati për transport.

Mes pyetjeve që ngriti grupi hetimor në atë kohë ishte se si u kultivuan bimët për të prodhuar 12 tonë hashash pa u vënë re nga policia? Nga kjo pyetje nisi hetimi disiplinor ndaj drejtorit të policisë së Qarkut Gjirokastër në atë kohë, Aranit Arapi.

Hetimet vazhdojnë ende për këtë çështje, por pavarësisht kësaj, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi e ka marrë si këshilltar në Ministrinë e Brendshme, pavarësisht se emri i Aranit Arapit u denoncua nga opozita për përfshirje dhe nxitje të kultivimit të lëndëve narkotike në zonën e Tepelenës dhe Gjirokastrës.

Megjithatë, në fushatën zgjedhore për 25 prillin, Bledi Çuçi e rehabilitoi si këshilltar personal në qarkun ku kandidonte vetë për deputet. Punësimi si këshilltar mbërrinte në një kohë që PD akuzonte Arapin si garant i plantacioneve të hashashit që u mboll në zonën e Tepelenës dhe Gjirokastrës në 2016-ën.

Lidhje të vjetra

Para fushatës për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit lidhja mes Bledi Çuçit, në atë kohë ministër i Brendshëm dhe Aranit Arapit u denoncua si fije që lidhte pushtetin me trafikun e drogës.

Sipas denoncimeve, lidhja mes ministri i Brendshëm, Çuçi dhe Arapi është më e hershme dhe ajo daton që nga viti 2017 kur Çuçi kandidonte për deputet në Gjirokastër.

Në atë kohë, Aranit Arapi drejtonte policinë e Gjirokastrës dhe u akuzua se kishte ndikuar në manipulimin e procesit zgjedhor për PS.

Aranit Arapi dyshohet se ka shfrytëzuar pozicionin e tij duke bashkëpunuar me Andrea Çaushin, kushëri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, për kultivimin e lëndëve narkotike në fshatin Kalivaç të Tepelenës, duke sabotuar kontrollet në këtë zonë dhe parcelat e mbjella me hashash në 2015 dhe 2016.

Madje, si zyrtar i lartë i policisë në Qarkun e Gjirokastrës, nga hetimet e dosjes së 12 tonëve hashash në Pagri të Përmetit kanë lindur dyshimet se Aranit Arapi është emri që ka dalë si garant në transportin e kësaj droge drejt Vlorës, ku më pas trafikohej për në Itali nga grupi i Habilajve./Voxnews.al


Video