
“Më sill 10 euro për pazarin?”, këto janë bisedat që zhvillpoheshin mes anëtarëve të grupit kriminal që u shkatërrua gjatë periudhës së pandemisë në Itali.
Porosia për kokainën bëhej përmes mesazheve dhe dorëzimi bëhej në shtëpitë e klientëve. Kjo gjë bëri që biznesi i kokainës të lulëzonte gjatë pandemisë, pasi kontrollet në rrugë ishin eliminuar dhe qytetarët lëviznin me autorizime.
Tani “ky biznes” është çmontuar. Skuadra lëvizëse, e koordinuar nga prokurori Roberto Ceroni, me urdhër të gjyqtares për hetimet paraprake Maria Cristina Sarli ka arrestuar dymbëdhjetë persona ditët e fundit, shtatë shqiptarë, katër tunizianë dhe një algjerian, të gjithë burra nga 32 deri në 52 vjeç.
Dhjetë prej tyre ndodhen në burg ndërsa për dy të tjerë u vendos detyrim paraqitje, më konkretisht për një shqiptar, 39 vjeç dhe një tunizian, 40 vjeç.
Ata akuzohen për trafik droge; episodet e diskutueshme janë më shumë se njëqind, duke përfshirë dhe rrëmbime. Të gjitha episode në të cilat janë përfshirë anëtarët e grupit, janë zhvilluar midis shkurtit dhe korrikut 2020.
Referenca kryesore për furnizimin e përgjithshëm do të ishte 47-vjeçari shqiptar me iniciale A.G., i mbrojtur nga avokati Matteo Murgo.
Sipas gjyqtarit ai ishte ‘koka’ e rrjetit të shpërndarjes së narkotikëve, kryesisht kokainë dhe heroine. Ai merrte vazhdimisht ngarkesa të reja, i ripaketonte ato dhe kryente personalisht dërgesat në një rreth të vogël shpërndarësish të besuar.
Ky ishte një lloj shërbimi taksi për drogën. Në shumë raste, dërgimin e bënte me biçikletë duke eliminuar kështu tërheqjen e vëmendjes së autoriteteve.
Në shtëpinë e tij, në momentin e arrestimit, u gjetën pajisje për identifikimin e mikrocipeve GPS-ve apo përgjuesve ambientalë, për të shmangur përgjimet. Por, përgjimet, pavarësisht masave të marra nga shqiptari, janë kryer dhe bënë të mundur sekuestrimin e sasive të konsiderueshme droge.
Përcaktuese ishte edhe përfshirja e hetuesve në sistemin e enkriptuar të komunikimit Encrochat. Kokaina, siç u zbulua, dërgohej në Itali nga një shpërndarës droge i paidentifikuar me bazë në Shqipëri, i quajtur ‘Pelo’. Në total u sekuestruan 4 kg kokainë e heroine si dhe 19 mijë euro, të fshehura në garazhin e banesës së 47-vjeçarit shqiptar.