Të tjera detaje janë zbardhur sa i takon dinamikës së ngjarjes së rëndë të një nate më parë në fshatin Stom Golem në Shkodër, ku mbeti i vrarë 76-vjeçari Lulash Qepuri.
Policia e Shkodrës bënë me dije se autori ka ardhur në këmbë në drejtim të lokalit, duke e qëlluar viktimën disa herë me armë zjarri pistoletë dhe më pas është larguar po në këmbë nga vendi i ngjarjes, duke humbur gjurmët.
Ndërkohë, pranë lokalit ku ndodhi krimi, forcat e rendit kanë gjetur një armë automatike, me të cilën dyshohet që viktima të jetë kundërpërgjigjur duke qëlluar në drejtim të autorëve që i morën jetën. Të paktën, 16 plumba ka qëlluar Qepuri në drejtim të automjetit, me të cilin u krye vrasja e tij. Viktima ishte invalid dhe qarkullonte i armatosur.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur më shumë se 25 gëzhoja armësh si pasojë e përleshjes, ndërsa në momentin kur ka ndodhur ngjarja nuk ka patur lëvizje të shumtë të njerëzve në zonë.
Policia në vendngjarje ka sekuestruar kamerat e sigurisë së bizneseve përreth ndërsa janë marrë në pyetje disa persona që dyshohet të kenë dijeni për ngjarjen, teksa nuk ka ende një autor të dyshuar. Lulash Qepuri rezulton një emër i njohur për policinë.