Ministria e Brendshme i është përgjigjur zyrtarisht akuzave të deputetit të Partisë Demokratike, Agron Shehaj për mbylljen e biznesit të tij.
Ministria e Brendshme thekson se “kompania e deputetit Shehaj ka vendosur aktivitetin në objektin me mbi 55% shtesë kati, ose thënë ndryshe 560 m2 pa leje”.
Deklarata e Ministrisë së Brendshme:
Me një sqarim të detyruar, por jo të dëshiruar, Ministria e Brendshme u përgjigjet akuzave të deputetit Agron Shehaj, që vijnë nga salla ku presupozohet se ai ka shkuar për të diskutuar e marrë vendime të rëndësishme për ata që e kanë votuar. Ai sot është përpjekur të sulmojë institucionet ligjzbatuese dhe të ‘mbrojë’, paligjshmërinë e tij.
Fotoja që publikoi deputeti Shehaj është dëshmi e saktë, e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe IKMT në krye të detyrës, për bllokimin e një ndërtese subjekt i ligjit për penalizimin e ndërtimeve pa leje me qëllim fitimi.
Është pikërisht ky objekt me mbi 55% shtesë kati, ose thënë ndryshe 560 m2 pa leje, ku kompania e deputetit Shehaj ka vendosur aktivitetin.
E megjithë paligjshmërinë në flagrancë, nga shkelësi artikulohet me lehtësinë më të madhe, akuza për mbyllje biznesi të ndershëm.