Mbyllen hetimet për dosjen “Partizani”, SPAK çon për gjykim Sali Berishën, Jamarbër Malltezin dhe tre të tjerë (Akuzat)

15 October 2024, 19:28Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mbyllen hetimet për dosjen “Partizani”, SPAK çon
Sali Berisha / Jamarber Malltezi

Dy Prokurorët e Posaçëm të SPAK, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai dorëzuan dosjen “Partizani” në gjykatën antikorrupsion kundër ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.

Në dosjen me 333 fashikuj e dorëzuar në gjykatë ditën e sotme janë edhe tre të akuzuar të tjerë, biznesmenët Fatmir Bektashin dhe Xhimi Begeja, si dhe noteren Andia Pustina.

Ditën e nesërme pritet të hidhet shorti për të caktuar gjyqtarin paraprak. Në short paraprak do të përfshihen 10 gjyqtarë dhe nuk do futet gjyqtarja Irena Gjoka e cila ka shqyrtuar prej tetorit 2023 masat e sigurisë dhe sipas ligjit nuk duhet të jetë në këtë short.

GJKKO ka tre mundësi, të kalojë dosjen për gjykim, ta rikthejë për plotësim hetimesh ose ta pushojë çështjen. Dosja “Partizani” ka edhe ndarje me fraksion.

"Nisur nga interesi qe ka pasur në media dhe në publik dosja “Partizani” ju njoftoj si më poshtë: Nesër, me datë 16.10.2024, ora 09:00 do të hidhet në short dosja penale, seancë paraprake (kërkesa për dërgimin e çështjes në gjyq, procedimi penal nr. 278, i vitit 2020), me kërkues Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të pandehur: Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja, Andina Pustina, Studio Pustina sh.p.k, Shoqëria Homeplan sh.p.k dhe Shoqëria Kontakt sh.p.k", njofton SPAK.

Mbyllen hetimet për dosjen “Partizani”, SPAK çon
Pallatet e ndërtuara te ish-kompleksi sportiv Partizani

Akuzat për Berishën e Malltezin:

Sali Berisha akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Jamarbër Malltezi (dhëndri i Sali Berishës) akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe per “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Fatmir Bektashi (biznesmen) akuzohet për “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe 'pastrim parash'.

Xhimi Begeja (ortaku i Malltezit), trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan' akuzohet për 'Pastrim Parash'.

Andia Pustina (financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore) e Homeplan sh.p.k akuzohet për 'Pastrim Parash'.



Video