Arrestohet 27-vjeçari nga Kosova në aeroportin e Rinasit

15 October 2024, 16:03Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arrestohet 27-vjeçari nga Kosova në aeroportin e Rinasit
Policia në Rinas / Foto ilustruese

Një i ri nga Kosova është arrestuar sot në aeroportin e Rinasit, bën me dije policia e Tiranës.

Sipas policisë, 27-vjeçari është vënë në pranga pasi ka tentuar të kalojë kontrollin me dokumente të falsifikuara si shtetas slloven.

“Posedonte 3 dokumente sllovene false, arrestohet në dalje të Shqipërisë, 27-vjeçari, banues në Kosovë.

Sekuestrohen pasaporta, karta e identitetit dhe leja e drejtimit që kishte me vete ky shtetas.

Gjatë punës së kryer në hyrje/dalje, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Rinas, në dalje të Shqipërisë, kaluan për kontrolle të detajuara, në vijë të dytë, shtetasin S. L., 27 vjeç, banues në Kosovë.

Nga kontrollet dhe verifikimet rezultoi se ai kishte paraqitur në sportel, një pasaportë sllovene, të dyshuar të falsifikuar, dhe se kishte me vete një kartë identiteti dhe një leje drejtimi, gjithashtu sllovene dhe të dyshuara false.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, 27-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, kryer më shumë se një herë, si dhe u sekuestruan më cilësinë e provës materiale, 3 dokumentet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, bën me dije policia.


Video