“Leari ishte i zgjuar, lexonte shumë libra”, rrëfehet motra e Lear Kurtit: Kishte gjetur një punë në Francë dhe do largohej

31 October 2022, 12:53Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Leari ishte i zgjuar, lexonte shumë libra”, rrëfehet

Vdekja e 32-vjeçarit Lear Kurti tronditi jo pak opinionin publik dhe megjithëse kanë kaluar disa ditë rrethanat e ndarjes së tij nga jeta mbeten ende të veshura me shumë pikëpyetje.

Motra nga babai, Silvi ka folur sot për mediat për marrëdhënien e tyre dhe bisedat që siç thotë ajo kohët e fundit ishin të gjata.

Si e mësove vdekjen e Learit?
E mësova në lajme. Më thanë “e ke parë vëllain?” Pastaj fola me shokët e Learit dhe më thanë ka vdekur. Fola më pas me Mirën (e ëma e Learit) dhe familjen.

Kush ka qenë komunikimi yt i fundit përpara 19 tetorit?
Para një jave.

Çfarë keni diskutuar?

Kishim diskutuar për fëmijët, për punën. Bëmë një bisedë si çdo ditë. Folëm si po kalonim. Unë kam dy goca dhe ai është daja.

Si ka qenë marrëdhënia e tij me mbesat?
Shumë e mirë. Ne flisnim me kamera. Leari ishte shumë i dashur, ishte shumë i gëzuar për vajzat e mia. Fliste gjithmonë në kamera.

Edhe para një jave kur folët, kryefjalë e bisedës ishin mbesat?
Po, si gjithmonë.

Si ka qenë fëmijëria juaj?
Ne kemi një histori shumë të veçantë dhe shumë të komplikuar. Kam folur me Learin kur doli “FB” dhe “Instagram”. Isha 14-15 vjeç dhe Leari kishte shumë qejf të kishte afër familjen e tij. Ngaqë ishte i vetëm, kishte shumë dëshirë të fliste me mua. E mora vesh kur isha 14 vjeç. Më pas ishte një kohë e gjatë që nuk flisnim pasi isha në shkollë. Para disa muajsh kemi folur shumë, ditë për ditë. Mund të flisnim 2-3 orë në ditë.

Keni kujtime të bukura edhe pse jeni njohur shumë vonë me njeri-tjetrin?
Po, po shumë.

Si kanë qenë raportet e Learit me babain?

Më ka thënë që nuk kishte shumë raporte me të atin, por ishte babai i tij dhe e donte. Learin nuk e shikonte ditë për ditë. Leari jetonte me Fatmirin. Babai nuk jeton më.

Flisnit shpesh me babain në lidhje me Learin?

Jo aq shumë. Ne nuk kemi jetuar me babin. Kam jetuar kur isha shumë e vogël dhe nuk e mbaj mend.

Çfarë ndodhi me babain tuaj?

Nuk e di. Familja ime më ka thënë që babi jot ka vdekur. Unë e kam lexuar në një gazetë që e kishte vrarë dikush. Nuk mund t’u them shumë gjëra për babin.

Ke folur me Learin për vdekjen e babait?

Po, por as ai nuk e dinte.

Çfarë të thanë shokët e Learit?

Më thanë që Leari ka humbur jetën.

Kur flisnit gjatë, çfarë shqetësimesh kishte Leari? Punonte?

Leari ishte shumë i zgjuar, lexonte shumë libra. Kishte gjetur një punë në Francë dhe do vinte në Francë.

Keni dijeni që kishte një problem ligjor?

Jo nuk kemi folur. Më tha që i kishte ofruar dikush punë në ndërtim jashtë Shqipërisë.

Ka qenë përdorues i lëndëve narkotike?

Unë nuk jetoja me Learin, e shihja vetëm në kamera. Nuk e kam parë kurrë në ndonjë gjendje të keqe siç janë njerëzit që marrin narkotikë.

Sa kohë ka që ka ndërruar jetë babai juaj?

Unë isha 16 vjeç, tani jam 27.


Video