Kërkoi lirinë, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Ilir Beqajt

28 January 2026, 21:13Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kërkoi lirinë, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e
Ilir Beqaj

Gjykata Kushtetuese ka vendosur këtë të mërkurë, të mos pranojë kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili kishte kërkuar shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që e kishte vendosur atë në masën e sigurisë “arrest me burg”.

Në kërkesën e tij, Beqaj argumentonte se vendimi ishte në kundërshtim me Kushtetutën, duke kërkuar që çështja të rigjykohej në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, si dhe të rrëzoheshin vendimet e dhëna nga Apeli dhe Gjykata e Lartë.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese vendosi të lërë në fuqi të gjitha vendimet e mëparshme, duke i rrëzuar pretendimet e paraqitura nga ish-ministri, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

Sjellim ndërmend se ish-ministri Ilir Beqaj u vu nën hetim nga SPAK për veprën penale të korrupsionit pasiv, në cilësinë e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë SASPAC, akuza të cilat i ka mohuar.

Ai u arrestua më 4 korrik 2024 dhe ndodhet prej më shumë se një viti i izoluar në paraburgimin e Durrësit. Krahas dosjes së SASPAC, ai po hetohet edhe për koncesionin e “Sterilizimit” në Shëndetësi.


Video