Korrupsioni zgjedhor, Dumani para gazetarëve: Po hetojmë zyrtarë

31 July 2025, 11:43Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Korrupsioni zgjedhor, Dumani para gazetarëve: Po hetojmë zyrtarë
Altin Dumani

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, mbrojti strategjinë e ndjekur gjatë zgjedhjeve për krimet zgjedhore. Ai theksoi se ajo e dha efekt parandalues. Po ashtu vlerësoi bashkëpunimin me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Dumani bëri me dije se në total janë administruar 193 materiale kallëzuese, ku 80 prej tyre janë bërë nga qytetarët. Dhjetë hetime janë nisur kryesisht. Kreu i SPAK tha se nga 43 raste të regjistruara, një është dërguar në gjyq, një është pezulluar dhe një tjetër është përcjellë për kompetencë.

Kreu i SPAK shtoi se në 43 raste është vendosur mosfillim pasi nuk ka pasur elementë të veprës penale. Kryesisht ato kanë qenë denoncime nga partitë politike. Vetëm tre prej tyre janë ankimuar dhe gjykata, sipas Dumanit, ka konfirmuar vendimin e prokurorisë.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme tha  se kallëzimet për shitblerje votash nuk janë shoqëruar me prova konkrete, por me indicie dhe dyshime.

“SPAK ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë, me përfaqësues të subjekteve politike, me policinë dhe prokuroritë e rretheve. Prokurorët e deleguar në rrethe kanë dëgjuar të gjitha pretendimet që kanë pasur edhe subjektet politike në kohë reale”, tha Dumani.

Sipas kreut të SPAK, tipologjia e kallëzimeve për krimet zgjedhore lidheshin me asfaltin elektoral, punësimet e paligjshme dhe përdorimin e administratës.

Dumani theksoi se SPAK po heton zyrtarë për korrupsionin zgjedhor.

I pyetur nëse ka pasur apo jo asfalt elektoral, punësime të paligjshme, apo përdorim të administratës, Dumani u përgjigj:

“A ka hetim për financimin e fushatave? Deri më tani nuk kemi hetim penal. Për korrupsionin zgjedhor, a keni zyrtarë në hetim dhe deri në ç'nivel të hierarkisë shtetërore? Po kemi zyrtarë. Për nivelin, në një moment të mëvonshëm”, tha Dumani.


Video